12:58 / E Martë, 31 Korrik 2018

Ismaili: Harrojeni Emergjencën e vjetër, ajo po transformohet

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka treguar se rinovimi i Klinikës së Emergjencës në QKUK është drejt përfundimit.

Ai ka thënë se janë ndërruar dyert, dritaret, është krijuar pritore e re për pacientë si dhe janë blerë pajisje të reja.

Sipas tij, brenda pak ditësh kjo klinikë do të transformohet tërësisht nga ajo që ka qenë.

“Besoj se ju kujtohet klinika e vjetër e Emergjencës në QKUK. Dhomat e vjetruara, pa pajisje adekuate, dyer që nuk hapen, korridoret pa stola dhe pritore të mirëfillta? Ato pamje nuk do t’i shihni më aty. Puna për transformimin e kësaj klinike po shkon drejt përfundimit. Dyer, pritore dhe pajisje të reja, që kanë munguar prej vitesh, për shërbime të dinjitetshme ndaj qytetarëve tanë”, ka shkruar ministri Ismaili në Facebook.

Si një ndër klinikat ku kërkojnë ndihmë më së shumti pacientë gjatë ditës, Emergjenca për një kohë të gjatë ishte lënë pas dore.