19:32 / E Enjte, 31 Maj 2018 / indeksADMonline

Italia mbështet integrimin e plotë evropian të Kosovës

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Pierro Cristoforo Sardi, tha me rastin e festës kombëtare të vendit të tij, se Roma zyrtare mbështet integrimin evropian të Kosovës, ndërsa e quajti esencial dialogun në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Italisë në vendin tonë morën pjesë zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit dhe mysafirë të shumtë të ftuar.Diplomati italian theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën kanë perspektivë evropiane, e cila është riafirmuar në Samitin e Sofjes para dy javësh.

Dialogu me Serbinë i cili pritet të vazhdojë në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, sipas ambasadorit italian është esencial për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në rrugëtimin drejt Evropës, ndërsa shprehu besimin se liberalizimi i vizave do të ndodhë së shpejti pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka çmuar rolin e shtetit italian për vendin tonë, duke siguruar se Kosova do të ketë sukses në rrugëtimin e saj në të ardhmen si shtet me perspektivë evropiane.