23:39 / E Premte, 01 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Ja kush i ndihmojë nga Kosova Shqipërisë

Republika Shqipërisë po ballafaqohet me një situatë emergjente, për shkak të shirave të pandërprerë dhe sipas parashikimeve të tyre situata sa vjen e përkeqësohet.

Si rezultat i kësaj Drejtoria e Emergjencave Civile të Republikës së Shqipërisë, ka kërkuar ndihmë nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, për mbështetje në operacionet e shpëtimit me pesë ekipe të shpëtimit dhe tre ekspert për vlerësimin e situatës.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, drejtori i Përgjithshëm i AME-së me miratimin paraprak të ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka vendosur që nesër, në ora 06:00 ekipet në fjalë të nisen për në destinacion.

“Ekipet janë të përbëra prej 34 pjesëtarëve të përzgjedhur nga Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të pajisur me mjetet përkatëse për zhvillimin e operacioneve të shpëtimit në ujëra sipërfaqësor dhe kjo natyrisht pa e dëmtuar kapacitetin tonë reagues brenda vendit”, thuhet në njoftim.