14:19 / E Hënë, 18 Qershor 2018

Jashari: Drenica mbetet çerdhe e lirisë

Ashtu siç ishin dje çerdhe dhe vatër lirie, sot janë vatër e çerdhe përkushtimi, devotshmërie dhe angazhimi për secilin qytetar dhe pjesë të komunës së Skenderajt.

Kështu ka thënë kryetari i komunës së Skenderajt Bekim Jashari në seancën solemne për 19-vjetorin Ditën e Çlirimit të Skenderajt. Ai shtoi se janë zotuar që ta vijojmë rrugën e dinjitetit që e shtruan të parët e këtij vendi.

“Sot në këtë mbledhje solemne, me nderim dhe guxim e ndershmëri vijojmë rrugën e dinjitetit që në e shtruan të parët tanë, duke rikonfirmuar se Skenderaj dhe Drenica ishin dhe mbeten çerdhja e lirisë, çerdhja e trimërisë e punës dhe begatisë. Në këtë ditë çlirimi të Skenderajt zotohemi dhe angazhohemi të punojmë për mirëqenien e secilës familje e në veçanti për të rinjtë tanë. Të gjejmë hapësirë, gjasat dhe mundësitë e barabarta për të gëzuar të gjitha të mirat që na i ofron liria, që na i ofron Skenderaj, që na i ofron Drenica dhe shteti ynë Kosova”, theksoi Jashari.

Ai për këtë ditë nuk la pa përmendur edhe kontributin dhe sakrificën e të gjithë luftëtarëve të lirisë dhe familjes së tij.

“Në këtë shënim të përvjetorit të çlirimit të Skenderajt, më lejoni të them vetëm disa fjalë që na i ngarkon historia, e para ishte historia, pastaj rezistenca dhe qëndrueshmëria. Me sukses i bëmë të gjitha të gjithë së bashku ju që jeni të pranishëm këtu, por edhe ata nuk janë me ne, edhe ata që jetojnë anë e këndë botës me sukses e dhanë provimin para historisë. Kjo nisi herët si çerdhe e rezistencës që nga koha otomane, nga koha e Kralit serb, koha e komunizmit dhe paradave të dhunës partizane, ku të gjithave ju bëmë ballë me krenari. Rezistuam me ato që i disponuam, me mjete rrethanore me sëpata e pushkë, me bomba dore e minahedhës derisa nuk arritën edhe aeroplanët e NATO-s. Në këtë përballje ne humbëm edhe më të dashurit që më nuk janë në mesin tonë, por tash i kemi në libra historie, me kryefjalën e lirisë tonë babës Shaban, bacës Adem, babës Hamës e shumë e shumë heronj e dëshmorë të vend it tonë”, tha  Jashari.

Ai është zotuar se si kryetar do të bëjë të pamundurën që qytetarët e komunës se Skenderajt të kenë mirëqenie dhe mundësi të barabartë.

“Nuk mund të jemi të lumtur me ato që i kemi bërë deri sot në komunën tonë, sepse ato janë tepër pak sa synojmë. Por, ne zotohemi kur do herë se do të bëjmë të pamundurën që qytetari i komunës së Skenderajt të ketë mirëqenie mundësi dhe hapësirë të barabartë për suksese. E di që infrastruktura rrugore, stadiumi dhe gjelbërimi, qendra e biznesit dhe puna për ju të rinjtë të qytetit tonë, e di nuk janë akoma siç duam të jenë. Gjithsesi kam dhënë zotimin se do të bëjë më të mirën e mundshme, e them edhe sot me rastin e çlirimit të 19 të Skenderajt. Ta dini se nuk do të ndalemi, e kemi këtë borxh para më të dashurve tanë…Kam bërë aq sa ishte mundësia, jo sa ishte dëshira, por ju e dini se nuk do të ndalemi, do të bëjmë më të mirën e mundshme për besimin e dhënë, për të qeverisur me ligj, transparencë dhe llogaridhënie”, tha ai.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, në ceremoninë e finales së shkollave fillore dhe të mesme të Skenderajt në turnirin për futboll dhe volejboll, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Ramiz Shala, tha se ky aktivitet sportiv po shënohet për t’i nderuar të rënët për liri dhe pavarësi.

“Mos harroni se sot është Dita e Çlirimit, ku se cili prej jush në familjet e juaja keni familjarë që kanë dhënë më të shtrenjtën, jetën e tyre që ne sot bashkë me ju e festojmë ditën e çlirimit në Skenderaj… Më lejoni që në emër të kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari të shpall të hapur turneun e garave tashmë tradicional, i cili organizohet me nxënës të cilët kanë korrur rezultate në garat shkollore”, ka thënë Shala.

Shkolla fillore “Ahmet Delia” në Skenderaj ka fituar vendin e parë në futboll. Po ashtu për këtë ditë, Drejtoria e Arsimit të Skenderajt ka ndarë dhurata dhe mirënjohje për nxënësit dhe mësimdhënësit e dalluar të kësaj komune.

Mos i humb