10:51 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

Kadaj-Bujupi: Gjendja në veri s’është alarmante si po paraqitet

Donika Kadaj-Bujupi, kryetare e Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë tha sot se pavarësisht ngjarjeve të fundit, gjendja në vend është stabile.

Sipas saj, paralajmërimet për mundësinë e trazirave në veri nuk qëndrojnë pasi gjendja atje nuk është aq alarmante sa paraqitet, raporton Indeksonline.

“Ishte raportim me kërkesën tonë me qëllim të marrjes së informatave për sigurinë në vend, sidomos në veri pas vrasjes së ish-deputetit”, tha Kadaj-Bujupi pas mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku raportoi drejtori i AKI-së, Driton Gashi.

Ajo bëri të ditur se anëtarët e Komisionit kërkuan nga shefi i AKI-së që të rritet vigjilenca edhe efikasiteti, sidomos në veri të vendit.

“Të filloj një mobilizim gjithëpërfshirës në kuptimin e  angazhimit institucional në shpërbërjen e bandave në mënyrë që qytetarët të jetë të sigurt, rendi, ligji dhe kushtetutshmëria të shtrihet në veri të vendit”, tha tutje Kadaj-Bujupi.

Ajo theksoi se nuk ka pasur neglizhencë në drejtim të marrjes së informatave nga ana e AKI-së dhe të gjithë kanë qenë të njoftuar me kohë lidhur me zhvillimet në veri, duke shtuar se do të kërkojnë informata edhe nga policia për të parë nëse ka pasur neglizhencë dhe a ka mundur rasti të parandalohet./Indeksonline/