12:15 / E Premte, 11 Janar 2019

Kafsha e vrarë në Pleshinë të Ferizajt është mace e egër, jo rrëqebull

Kreu i Drejtorisë Qendrore të Inspeksionit për Pylltari dhe Gjueti në Agjencinë Pyjore të Kosovës, Besim Zogu për Indeksonline ka treguar se kafsha e vrarë në fshatin Pleshinë të Ferizajt nuk është rrëqebull, por, një mace e egër.

Ky rast, fillimisht është nisur nga Agjencia Pyjore e cila pasi pa fotot në Facebook të dyshuarit I.SH me kafshën e vrarë në dorë, dërgoi kërkesë në Policinë e Kosovës që të niset hetimet për këtë, ku më pas kjo e fundit konfiskoi armën e gjuetisë dhe lejen.

Në kërkesën që ka siguruar Indeksonline, kërkohet nisja e hetimeve ndaj të dyshuarit I.Sh nga fshati Pleshinë.

“Kërkojmë nga autoriteti i lartëcekur që të filloj hetimet ndaj I.Sh nga fshati Pleshinë e Ferizajt për të cilin ekzistojnë dyshimet e bazuara se i njëjti ka vrarë një kafshë të egër përherë të mbrojtur me ligj të llojit Macë e Egër pasi që i njëjti në rrjetin social Facebook ka postuar foto se bashku me kafshën e vrarë me armë të gjuetisë”, thuhet në këtë kërkesë.

Drejtori Zogu për Indeksonline ka treguar se në vitin 2017, në muajt Janar-Shkurt kanë dorëzuar 30 padi për vrasje të kafshëve të mbrojtura me ligj.

Për këtë rast ka reaguar edhe Komuna e Ferizajt, përkatësisht, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë.

“Një akt i tillë, barbar varfëron faunën tonë dhe rrezikon zhdukjen përfundimtare të kësaj specie të mbrojtur me ligj. Autoritetet lokale si vazhdimësi të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, kanë marr njoftimin se është arrestuar një shtetas për këtë rast, qytetar i Ferizajt nga fshati Varosh, dhe se po kryhen hetimet e nevojshme si dhe procedura paraprake e paraparë me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim për media.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është konfiskuar arma, si dhe leja e armës, ndërsa rasti i referohet hetimeve për procedurë të mëtutjeshme hetimore. /Indeksonline/