21:48 / E Hënë, 22 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kajtazi: Djalin e Shpend Maxhunit e gjurmuan në sistem të Policisë para se të arrestohej

Kryeredaktori i Insajderit, Vehbi Kajtazi ka thënë sot se brenda Policisë së Kosovës janë interesuar paraprakisht për Rinor Maxhunin, djalin e shefit të AKI-së, Shpend Maxhunit, para se ai të arrestohej për armëmbajtje pa leje dhe për posedim droge.

Kajtazi ka treguar se polici Afrim Karaxha, më 5 tetor, “ka bërë kërkime” në sistemin e brendshëm të Policisë së Kosovës për djalin e Shpend Maxhunit.

“Secili polic që hyn brenda sistemit, dihet saktësisht çfarë ka kërkuar; koha kur ka hyrë”, është shprehur ai.

“Nuk ishte dalje e rastësishme për patrullim e Policisë në ditën kur është arrestuar djali i shefit të AKI-së”, ka vlerësuar Kajtazi në një deklarim për emisionin Pressing në T7.

Ai ka thënë se është e pazakontë që “në një operacion patrullues të thjeshtë të dalë edhe një zyrtar i Inteligjencës”.