20:48 / E Hënë, 27 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

Kaos total në Gjermani, anulohen qindra fluturime dhe transporti publik, flet kosovari që është pjesë e grevës

Në të gjithë Gjermaninë, sot filloj një grevë e gjerë paralajmëruese nga disa sindikata.

Trafiku me trena, autobusë dhe aeroplanë u ndal kryesisht këtë të hënë. Pothuajse të gjitha aeroportet gjermane janë në grevë, përveç Aeroportit të Mimingenit

IndeksOnline ka kontaktuar me Gazmend Bajokun, punonjës në aeroportin e Munihut.

Ai për IndeksOnline ka folur rreth kërkesave të punonjësve, ku ka treguar se kërkesat e tyre janë rritja e pagave për 10,5%, apo më së paku, 500 euro bruto më shumë në pagat mujore.

Bajoku ka treguar se greva ka filluar që dje si ‘’home office’’ e deri sot ku kanë dal në grevë nga ora 09:00.

‘’Dje kemi qenë në grevë apo ‘home office’ veç i kemi njoftu që jemi në grevë. Nuk ka funksionu asgjë në aeroport. Sot kemi shku prej orës 09:00 deri sa e kemi pas orarin’’.

Më tutje, ai ka bërë të ditur se rreth 2.5 milionë persona kanë qenë pjesëmarrës në grevë.

‘’Verdi është një sindikatë në Gjermani e cila i ka diku rreth 2.5 milionë anëtarë, unë jam një ndër ta, se a kanë marrë pjesë të gjithë në grevë nuk e di’’

Ai ka treguar se në lidhje me grevën bisedime do të ketë sot në Berlin, dhe nëse nuk marrin vendim në të mirën e punonjësve atëherë greva do të vazhdojë.

‘’Bisedimet vazhdojnë sot në Berlin, për atë edhe grevën e kemi filluar një ditë përpara me ju tregu që kështu nuk bën më, pasi që pagat janë shumë të ulëta në krahasim me punën që bëjmë.

Bisedimet janë sot, shpresojë që të dakordohen nëse nuk dakordohen, së shpejti do të marrim vendim për të nisur grevën, e që kësaj here nuk e dijë se sa do të zgjasë.

Shpresojmë që të na përmbushen kërkesat, e të mos kemi nevojë më të mbajmë grevë’’, tha Bajoku për IndeksOnline. /IndeksOnline/