20:34 / E Hënë, 25 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kastrati: Transformimi i FSK-së u shty për inate politike, mund të ndodhte në vitin 2014

Ish – komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati ka theksuar se procesi për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), ka mundur të fillojë në vitin 2014, por që, sipas tij, nuk ishte bërë aso kohe për inate politike.

Kastrati, në emisionin “Përballje” prodhim i Telegrafit, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se çdo vonesë në transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, do të thotë vonesë në integrimet euro-atlantike të Kosovës.

“Ne duhet ta kemi ushtrinë tonë, sepse forcat e KFOR-it, nuk do të qëndrojnë përgjithmonë, ku do të ishte mungesa e një shtylle të rëndësishme në sigurinë e vendit. Kemi nevojë për ushtri, sepse duhet ta kemi, të ruajmë sigurinë tonë kombëtare”, ka shtuar Kastrati, në “Përballje”.

Sipas tij, institucioni që e ka udhëhequr ai dikur, i ka kapacitetet e nevojshme njerëzore për tu kthyer në një ushtri.

Kastrati ka folur edhe për situatën e sigurisë në vend, ku ka thënë se ajo është e qetë, duke shtuar se duhet të kihet kujdes me kthimin e luftëtarëve të huaj nga i ashtuquajturi Shteti Islamik (ISIS).

Sipas tij, këta persona duhet të trajtohen dhe të punohet me ta në procesin e deradikalizimit të tyre.

Temat: