15:38 / E Hënë, 28 Maj 2018 / k.v

Katër muaj hetime për vrasjen e Ivanoviqit

Hetimet për vrasjen e politikanit nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq ende janë duke vazhduar. Ndonëse janë bërë katër muaj që nga vrasja e tij, autoritetet ende nuk kanë arritur të identifikojë të dyshuarit e këtij krimi.

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri shpreson se ky rast, pavarësisht hezitimit për të bashkëpunuar nga autoritetet serbe, do të zbardhet në një të ardhme.

“Në radhë të parë unë besoj fuqimisht se organet tona të zbatimit të ligjit janë duke e bërë punën e tyre për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave dhe kryerësve të aktit kriminal të privimit nga jeta të ish politikanit Ivanoviq. Si ministër i drejtësisë, duke respektuar marrëveshjet e Brukselit për bashkëpunim juridik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, jam angazhuar dhe kemi bërë të mundur që institucionet tona të kenë mundësi komunikimi me organet e zbatimit të ligjit të Serbisë në lidhje me shkëmbimin e provave eventuale që ndërlidhen me këtë rast”, ka thënë para pak dite Tahiri për Indeksonline.

Kurse ministri i Punëve të jashtme i Serbisë Ivica Daçiq ka fajësuar autoritetet e Kosovës për mos zbulimin e autorëve të vrasjes.

Sipas tij, ato duhet të përgjigjen në pyetjen se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin, sepse ato po i zhvillojnë hetimet.

Por Tahiri kishte thënë se deri më tani informatat e ofruara nga pala serbe lidhur me fazat e hetimit të këtij rasti nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Daçiq për gazetën e Beogradit “blic” ka shtuar se vrasja e Ivanoviqit është edhe çështje e Bashkimit Europian, pasi sipas tij, BE kishte kërkuar që strukturat e sigurisë të integrohen në institucionet e Kosovës.

Deklaratën e zëvendëskryeministrit të Kosovës Enver Hoxhaj se Beogradi nuk po bashkëpunon në hetime dhe se po e fsheh përgjigjen se kush e ka vrarë Ivanoviqin, Daçiq e ka vlerësuar akuzë të drejtpërdrejtë ndërsa ka shtuar se Oliver Ivanoviq pak para se të vritej kishte dalë nga burgu në të cilin e kishin futur shqiptarët e Kosovës.

Hetimet fillimisht i kishte kryer Prokurori i Shtetit të Kosovës ndërsa më pas dosjen e mori përsipër Prokuroria Speciale e cila edhe sot po vazhdon hetimet në lidhje me rastin./Indeksonline/

 

Temat: