08:17 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Katër vjet nga aksidenti i Schumacher, askush nuk di për fatin e tij

Nesër mbushen 4 vjet nga aksidenti tragjik me ski i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.

Shumë thashetheme janë thënë që nga ajo kohë në lidhje me gjendjen shëndetësore të 7 herë kampionit të botës, por asgjë nuk ka qenë e vërtetë. Kur një revistë guxoi të thoshte se Schumacher ishte në gjendje të ecte përfundoi në gjyq për shpifje.

Është shkruar se Michael loton kur sheh fëmijët, që kostot e kurimit po kapin shifra stratosferike, që është dobësuar shumë e mjaft gjëra të tjera, por të gjitha janë përgënjeshtruar. Një errësirë e frikshme në lidhje me atë që ndodh realisht me pilotin gjerman, që ndodhet pranë familjes së tij, por pakkush e takon.

Por edhe kur ndonjë person i jashtëm shkon në shtëpinë e tij, më pas hesht dhe nuk jep asnjë koment. Ende në këto 4 vite nuk ka dalë një lajm se si është dita e Schumacher, nëse e ka një të tillë, a ka shpresa për të ardhmen etj. Gjithçka është shumë e rezervuar për sa i përket jetës së tij, ndaj dhe fansat e shumtë të Schumacher kërkojnë të dinë të vërtetën. Fansat kanë qenë familja e tij në pistë, që festonin bashkë me pilotin dhe sot kanë të drejtën të mësojnë të vërtetën dhe jo vetëm të luten…

 

Temat: