13:30 / E Premte, 03 Prill 2020 / indeksADMonline

KDI: Urgjentisht të ndalet kapja e bordeve të ndërmarrjeve publike

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj emërimeve mbi baza partiake të Qeverisë në detyrë në bordet e përkohshme të tri ndërmarrjeve publike. KDI është kundër vazhdimit të praktikave të kapjes së shtetit.

KDI është e shqetësuar për emërimin e ish-kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në borde publike dhe kërkon që urgjentisht të ndalet kjo praktikë.

Reagimi i plotë:

Në strategjinë e zgjerimit të BE-së për shtetet e Ballkanit perëndimor, citohet se këto shtete, ku bën pjesë edhe Kosova tregojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës. Edhe KDI, si pjesë e rrjetit global Transparency International ka raportuar në vazhdimësi për elemente të kapjes së shtetit në sektorë të rëndësishëm, ndërsa në veçanti ka kritikuar praktikat e kapjes së bordeve të ndërmarrjeve publike dhe vendosje n e njerëzve jokompetentë e partiakë.

KDI po ndjek më shumë shqetësim veprimet e Qeverisë në detyrë, e cila në kohë të pandemisë COVID 19po vazhdon me shkarkimin e bordeve ekzistuese të ndërmarrjeve për t’i zëvendësuar ato me njerëz të subjektit të tyre. Vendosja e figurave që më parë ishin kandidatë për subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, është në kundërshtim me ligjet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të çkapen nga politika e do të jenë profesionale, të pavarura dhe me integritet.

Qeveria në detyrë urgjentisht duhet ta ndaloj një praktikë të tillë, ndërsa procesit të rekrutimit duhet t’i parapri shpallja e konkurseve publike në mënyra që në këto borde të rekrutohen njerëz me kredibilitet, integritet e profesionalizëm. Qeveria në detyrë duhet që të vazhdojë memorandumet e bashkëpunimit me Ambasadën Britanike në Kosovë, pë r rekrutimin e bordeve dhe pozitave tjera udhëheqëse në Kosovë, ashtu që të kemi përmes një procesi transparent e llogaridhënës me ndihmën e Ambasadës dhe nën mbikëqyrjen e shoqërisë civile të mundësohet zgjedhja e bordeve të ndërmarrjeve publike të jenë profesionale e jo politike, me integritet e jo të kapura.