16:24 / E Enjte, 01 Korrik 2021 / A K

KEDS bën me laborator të informatikës shkollën “Dëshmorët e Vitisë” në Viti

Në Dobresh të Vitisë, nxënësit e shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë” nga sot e tutje do ta kenë më të lehtë mësimin gjatë orës së informatikës. Kjo pasi atje KEDS dhuroi një donacion prej 15 kompjuterësh bashkë me të gjitha pajisjet përcjellëse.

Nxënësit, më herët lëndën e informatikës e mësonin vetëm përmes librave. Mirëpo, fal këtij donacioni që ata kanë përfituar, tashmë është krijuar laboratori i informatikës, i cili do të mundësojë çasje në botën dixhitale, nga e cila këta nxënës do të kenë mjaft për të mësuar.

Drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj thotë se kjo iniciativë për krijimin e laboratorëve në shkolla ka filluar që moti dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“KEDS përmes këtyre kompjuterëve, po bën për herë të parë me laboratorë të informatikës shkollën “Dëshmorët e Vitisë”. Ky donacion po realizohet në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës, përmes së cilit synohet mbështetja dhe krijimi i kushteve për mësim nxënje për nxënësit. Ne jemi të lumtur që përmes këtij donacioni, po mundësojmë që nxënësit e kësaj shkolle të eksplorojnë mundësitë e shumta që i ofron bota dixhitale.”, tha Pajaziti-Arifaj.

Tutje, ajo shtoi se iniciativa të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke qenë sa më pranë komunitetit. “Kjo iniciativë e KEDS do të vazhdojë edhe në të ardhmen ndërkaq synimi jonë është të bëjmë me laboratorë të informatikës ato shkolla që me të vërtetë kanë nevojë për to”, përfundoi Pajaziti-Arifaj.

Mjaft i gëzuar nga ky donacion ishte edhe vet Drejtori i kësaj shkolle, Qemajl Hyseni.

“Jemi tejet të lumtur që sot po pranojmë këtë donacion për shkollën tonë, i cili ka vlerë shumë të madhe për ne sepse përmes këtij laboratori, shkolla jonë e re po kompletohet.  Jemi falënderues KEDS që nuk ka hezituar për të mbështetur shkollën tonë dhe sigurisht që edhe nxënësit e shkollës janë shumë mirënjohës.”, tha Hyseni.

Ndërkaq, i pranishëm gjatë dorëzimit të këtij donacioni ishte edhe vet Drejtori i Drejtorisë së Arsimit pranë Komunës së Vitisë, Basri Aliu.

Ai theksoi se një donacion i tillë ishte më se i nevojshëm për shkollën ndërsa shprehi mirënjohjen për mbështetjen e KEDS për arsimin në Komunën e Vitisë.

“Ky donacion është shumë i rëndësishëm për këtë shkollë. Përmes këtij kabineti të informatikës, këtyre nxënësve po u jepet mundësia të zgjerojnë horizontet e tyre përmes teknologjisë. Falënderim të veçantë për kompaninë KEDS, e cila si çdoherë vazhdon te mbështesë komunën tone.”, theksoi Aliu.

Edhe nxënësit e kësaj shkolle ishit tejet të emocionuar kur kuptuan që shkolla e tyre do të bëhet me laborator të informatikës.

“Jemi shumë të lumtur që kampanja jonë pati sukses dhe që shkolla jonë u përzgjodh nga kompania KEDS për t’u bërë me laboratorë të tillë. Nga sot e tutje, orën e informatikës do ta presim me padurim, pasi që përmes kompjuterëve të rinj do të kemi mjaft për të mësuar”, tha Vanesa Haxhiu.

KEDS edhe në të ardhmen do të zhvillojë iniciativa të tilla me qëllim që fëmijëve t’u krijohen mundësitë që njohuritë teorike t’i gërshetojnë me ato praktike përmes kabineteve të informatikës.