12:15 / E Premte, 23 Mars 2018 / indeksADMonline

KEDS-i po e lë Podujevën pa rrymë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu është ankuar se KEDS-i tash e sa ditë po i lë qytetarët e kësaj komune pa rrymë.

Përmes një komunikate, Veliu ka theksuar se reduktimet po e vështirësojnë jetën e qytetarëve, dhe se nga kjo gjendje po e pësojnë edhe institucionet e bizneset, transmeton Indeksonline.

Ky është reagimi i Veliut:

Ditëve të fundit qytetarët e Komunës së Podujevës janë duke u përballur me ndërprerje të energjisë elektrike pa ndonjë orar të caktuar dhe të pa paralajmëruara nga KEDS-i.

Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, dhe me orë të tëra, po e vështirësojnë jetën e qytetarëve në këto ditë të ftohta.

Pavarësisht çrregullimit drastik të furnizimit me energji elektrike KEDS-i nuk e ka parë të udhës të japë ndonjë informatë, apo sqarim.

Cilado qoftë arsyeja e ndërprerjeve të energjisë elektrike, kjo gjendje është e papërballueshme për qytetarët, institucionet (shkollat e ambulancat), por edhe bizneset në komunën e Podujevës, të cilat po pësojnë.

Kërkojmë nga KEDS-i që sa më parë të ndërmarrë masat e duhura për furnizimin e rregullt me energji elektrike në komunën e Podujevës, por edhe të ketë trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët, sepse është evidente se jo një të gjitha komunat ka ndërprerje-reduktime të energjisë elektrike. /Indeksonline/

Temat: