KEK-u nisi rrënimin e shtëpive në Shipitullë – banorët rezistuan
Sot ka nisur rrëzimi i shtëpive në lagjen Mirena në Shipitullë të Obiliqit, derisa disa banorë kanë rezistuar për shkak se ende nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontratat me KEK-un për shpronësim.
Qenan Mirena ka thënë se rrëzimi i shtëpive po bëhet në mënyrë jo të drejtë, ngase disa pronarë të shtëpive ende nuk kanë nënshkruar kontratat për shpronësim dhe po rrënohen shtëpitë ende pa u shfrytëzuar ankesat e tyre ligjore prej 30 ditësh.
Ai shtoi se sot KEK ka rrënuar shtëpitë e atyre pronarëve ende pa e shfrytëzuar afatin kohor për ankesa. Mirena tha se kanë për ta kundërshtuar në vazhdimësi rrënimin e shtëpive, derisa të plotësohen kërkesat.
Pas rezistimit, policia ka asistuar punonjësit e KEK-ut për rrënimin e shtëpive të para pranë ekskavatorëve të KEK për thëngjill.
Ndërsa, drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj tha se sot ka filluar të rrënohen shtëpitë e para pas arritjes së marrëveshjes me banorë ditë më parë në Shipitullë.
“Janë rrënuar shtëpitë e atyre pronarëve që kanë bërë kontrata për shpronësim. Në bazë të informatave të mia nuk ka pasur asnjë rezistim sot me banorët e fshatit Shipitullë. Aksioni për rrënimin e shtëpive do të vazhdoi në ditët në vijim, për ato shtëpi që janë nënshkruar kontratat për kompensim”, ka thënë Gjukaj.
Ndryshe, Qeveria pati arritur një marrëveshje me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade, në komunën e Obiliqit në shtator të vitit të kaluar, për çështjen e shpronësimit të pronave më thëngjill që janë të domosdoshme për furnizim të Kosovës me energji elektrike përmes Korporatës Energjetike e Kosovës.