08:58 / E Hënë, 23 Nëntor 2020 / C E

“Kërkesa të shumta taktike”, Conte debaton me ish futbollistin në lidhje direkte

Prej kohësh specialistët e futbollit në Itali po kritikojnë Antonio Conten se kërkon të aplikojë një futboll shumë strikt, që i ngarkon me kërkesa taktike futbollistët e tij dhe në këtë mënyrë u heq jo pak nga kreativiteti e befasia.

Këto zëra morën më shumë kuptim pasditen e djeshme, ku Interi vuajti për plot 60 minuta ndaj Torinos dhe e pa veten në disavantazh të dy golave, por ashtu si me Torinon në javën e parë, sapo Conte prishi skemat dhe la të lirë lojtarët, erdhi përmbysja.

Kaq mjaftoi që Conte të pyetej për këtë çështje edhe në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Sky Sport”, megjithatë tekniku zikaltër nuk e priti aspak mirë këtë konstatim dhe u përfshi në debat me ish futbollistin Giancarlo Marocchi.

Futbolli im nuk është duke u hedhur në sulm në mënyrë të çrregullt dhe besoj se për këtë që kam aplikuar, kam të drejtë, pasi diçka kam fituar edhe unë. Nuk është problem skemash dhe kërkesash taktike, por në fillim ne nuk fitonim dot asnjë dyluftim, ndërsa më pas 30 minutat e fundit rritëm shpejtësinë e të menduarit dhe të lëvizurit. Filluam të bëjmë presing lart dhe të zbresim shpejt, duke shënuar 4 gola, por duke krijuar edhe më shumë raste”, u shpreh Conte.