18:54 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Këshilltari i ministres së Mjedisit: Ndotja problem i trashëguar nga paslufta

Leutrim Sahiti, këshilltar i Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka bërë të ditur se kjo ministri ka planifikuar aktivitete dhe veprime konkrete që do të ndërmerren lidhur me ajrin e ndotur në kryeqytet.

Sahiti ka thënë se masat emergjente do të jenë ndalimi i qarkullimit të veturave brenda një perimetri të caktuar, fuqizimi i inspektoratit, identifikimi i ndotësve më të mëdhenj dhe ndalimi i shitjes së thëngjillit.

“Është një problem i trashëguar dhe për një periudhë 4-5 mujore nuk do të përmirësohet gjendja e mjedisit e shkaktuar që nga paslufta”.

“Ky nuk është maksimumi, këto janë masat emergjente që do të realizohen në këtë periudhë”, tha Sahiti në Info Magazine në Klan Kosova.

Ai vlerësoi se masat emergjente nuk janë të mjaftueshme, megjithatë do të kenë një impakt vetëdijësues tek qytetarët.

“Në bashkëpunim me komunën, kemi në plan ndërtimin e unazës së brendshme dhe zhvendosjen e administratës në Hajvali, që do të ndikonin pozitivisht në përmirësimin e kualitetit të ajrit”.

Sa i përket ndotjes së ajrit nga termocentralet, Sahiti tha se ndotësi më i madh është termocentrali Kosova B, i cili ka filtrat e vjetruar, që nga viti 1985.

Sipas tij, masat emergjente do të variojnë në bazë të kushteve meteorologjike.