17:02 / E Diele, 05 Maj 2019 / indeksADMonline

“Këta gjashtë muaj nuk ishin të lehtë për kryeministrin Haradinaj, ishte pothuajse i vetëm në këtë betejë”

Shkruan: Netja Bejta, Anëtare e Kryesisë Qendrore të AAK-së

Më 4 nëntor kryeministri Haradinaj në Bogë para shumë të rinjve  do të deklaronte se “Korrigjimi e demarkimi i kufijve janë maskime për ndarjen e Kosovës”.

Për ta ndalë ofansivën e politikës  serbe dhe realizimin e një ide të tillë Kryeministri e përdori armën e vetme që e kishte kësaj radhe demonstrimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Përveç formimit të Ushtrisë , vendosja e taksës ndaj Serbisë ishte e formë e demonstrimit të sovranitetit të Kosovës.

Të gjithë e sulmuan me lloj-lloj  kritikash e fake news si; po shkon Kampi  Bondsteel, po prishemi me Amerikën,  po tërhiqen ambasadat, kryeministri po nxjerr tema për të mbuluar dështimet e qeverisë, është masë populliste etj etj, ishte një propagandë nga shumë fronte.

Këta gjashtë muaj nuk ishin të lehtë për kryeministrin Haradinaj, ishte pothuajse i vetëm në këtë betejë, por ai ishte i vendosur në objektivin e tij- demaskimin e idesë së Vuçiq-it për ndarjen e Kosovës.

Taksa ekonomike por me më shumë  elemente politike doli të jetë masë e qëlluar dhe e mirë menduar karshi rrezikut të sovranitetit të vendit. 

Sot Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka deklaruar se pas dështimit të planit të tij për ndarjen e Kosovës, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të shtrihen në tërë territorin e saj.

Taksa  dhe këmbëngulja e qeverisë së Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj dha efektet politike, ishte strategjia e duhur politikisht.

Sot kemi edhe një ndryshim radikal në bilancin tregtar, që do të thotë se taksa çdo ditë po ndikon edhe në ndryshimin e hartës ekonomike apo tregtare të vendit pra po jep edhe efekte ekonomike.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se konsumatori kosovar po i zëvendëson produktet serbe me ato gjermane.

Vetëm në muajin mars, importi më i madh i produkteve është bërë nga Gjermania, mbi 10 milion euro apo 14% e importit të përgjithshëm.

Pas Gjermanisë, importi i produkteve po pasohet nga Shqipëria ,Italia, Sllovenia e Bullgaria.

Sipas Doganës së Kosovës në vitin 2018, brenda një dite në Kosovë është importuar mall serb në vlerë të 1.2 milionë eurove. Ndërsa pas masës mbrojtëse importi ka rënë për 99%. Tani importohet mall në vlerë të rreth 500 mijë eurove dhe kryesisht produkte të brendeve ndërkombëtare ose vetëm në tre mujorin e parë të 2019 vetëm 0.2%.

Krahas ndryshimit të hartës prej nga Kosova importon më shumë këta tre muajt e fundit, një efekt tjetër i taksës ndërlidhet me rritjen e konsumimit të produkteve vendore. Në hulumtimet e bëra nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë thuhet se kjo taksë ka ndikuar që prodhimtaria vendore të rritet dhe sipas tyre kjo shkon deri në 25%, kjo vërehet edhe tek rritja e eksportit.

Kosova është në Evropë dhe me miq si SHBA-të , si e tillë ajo nuk do lëkundet në këtë vizion , vizion i nisur Presidenti Historik Ibrahim Rugova dhe i vazhduar me seriozitet nga Kryeministri Ramush Haradinaj.