12:46 / E Mërkurë, 03 Tetor 2018 / indeksADMonline

KFOR: Thaçi s’ka nevojë të marr leje për ta vizituar veriun, ai nuk shkeli asnjë rregull

Vizita që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i bëri të shtunën liqenit të Ujmanit , nxiti reagime të shumta te autoritetet serbe.

Për këtë vizitë ka dhënë detaje zëdhënësi kryesor i KFOR-it, Vincenzo Grasso, i cili ka thënë se të shtunën në veri të Kosovës nuk ka ndodhur asnjë incident, arrestim apo operacion ushtarak siç aludonin mediat serbe dhe se i pari i shtetit është i lirë të lëvizë kudo pa pasur nevojë për leje, shkruan Demostat,rs, transmeton Indeksonline.

Sipas KFOR-it, situata në Kosovë është paqësore dhe nën kontroll. Prandaj, KFOR u ka bërë thirrje të gjitha palëve për të reduktuar tensionet në nivelin më të ulët të mundshëm.

“Sa i përket ngjarjeve të së shtunës në zonën e Zubin Potokut, konfirmojmë se nuk kishte asnjë incident, arrestim, operacion ushtarak apo sulm ndaj dikujt”, ka thënë tutje Grasso.

Ai ka theksuar se KFOR-i nuk ishte i informuar paraprakisht se Thaci do të vizitoj veriun, por sic ka thënë ai, presidenti si udhëheqësi më i lartë i institucioneve të Kosovës është i lirë të lëvizë në tërë Kosovën dhe se nuk ka shkelur asnjë rregull me këtë veprim.

“Pasi e ka lënë këtë territor zotëri Thaçi, ka pasur disa bllokada në Zubin Potok, qartësisht pa kurrfarë arsyeje. KFOR-i nuk ka ndërhyrë, meqë bllokadat nuk përbënin kurrfarë rreziku për sigurinë dhe lëvizjen e lirë, ndërsa në ndërkohë njësi të KFOR-it janë përfshirë në mbikëqyrjen e protestës së madhe në Prishtinë, në të cilën kanë marrë pjesë rreth 13 mijë njerëz”, ka thënë tutje Grasso. /Indeksonline/