17:36 / E Shtunë, 20 Prill 2019 / indeksADMonline

Khabib flet për muajin e Ramazanit dhe konfirmon meçin e radhës

Tani cdo gjë është konfirmuar: Khabib Nurmagomedov rikthehet në kafaz në muajin shtator.

Kampioni i botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse, do të mbrojë titullin ndaj Dustin Poirier, i cili aktualisht është “kampion i përkohshëm” i këtij Divizioni.

Poirier dy javë më parë mposhti Max Holloway në UFC-236, duke fituar të drejtën që të duelojë ndaj Khabib.

Presidenti i UFC-së Dana White konfirmoi se Nurmagomedov do të kthehet në tetëkëndëshin e famshëm në shtator.

“Do të kthehet në shtator,” tha ai. “Ai është në pezullim momentalisht dhe pastaj ai nuk lufton gjatë Ramazanit. Kjo e vendos atë në shtator”.

Nurmagomedov, ende i pezulluar deri në qershor, ka konfirmuar sfidën me Poirier, duke thënë: “Ai ka fituar titullin e përkohshëm, unë kam atë të vërtetin. Ajo që më tërheq është beteja me Dustin dhe t’i marr atij titullin e përkohshëm. Nuk do të ketë më një titull të tillë në Divizionin tonë, pasi ka vetëm një kampion bote dhe ai jam unë. Dustin është një rival i fortë, nuk e nënvlerësoj, pasi ka mundur shumë nga sportistët më të fortë në botë. Pas Ramazanit do të kem vetëm 2 muaj kohë për t’u përgatitur, ndërkohë që më duhet më shumë kohë. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë dhe në shtator të duelojmë,” ka thënë mes tjerash Khabib, i cili ka bilanc prej 27 fitoresh e asnjë humbjeje në kafaz. /IndeksOnline/