10:12 / E Mërkurë, 28 Mars 2018 / indeksADMonline

“Kjo nuk duhet të ndodhë në Kupën e Botës” – Sampaoli i tronditur nga humbja!

Jorge Sampaoli pranoi se goditjen e rëndë, 6-1, nga Spanja e gjeti atë në befasi. Trajneri i Argjentinës nënvizoi pas humbjes së thellë të së martës se ekipi i tij ishte “bombarduar”. Humbja më e keqe në historinë e Argjentinës erdhi për të besuarit e Sampaolit nga tripleta e Isco dhe golat e Diego Costa, Thiago Alcantara dhe Iago Aspas në “Wanda Metropolitano”. Argjentina, pa yllin e saj, Lionel Messi, që nuk luajti për shkak të lëndimit, e kishte mundur Italinë 2-0 në Manchester, të premten, por gjeti një Spanjë shumë më të fortë, të martën. Dhe Sampaoli pranoi se duhet shumë punë për të siguruar që Argjentina të mos vuajë siklete të ngjashme në Kupën e Botës së Rusisë.

“Ne duhet të marrim përgjegjësitë për këtë lojë. Kësi gjërash nuk mund të ndodhin me ne në Kupën e Botës, – pohoi Sampaoli. – Spanja na ka goditur, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë. Këto janë rezultate atipike, që mund të ndryshojnë perspektivën e trajnerit, nëse gjithçka nuk analizohet. Unë do të duhet ta zbërthej ndeshjen shumë mirë dhe vendos. Tashmë kemi për të zgjidhur edhe çështje psikologjike. Nuk prisnim aq shumë forcë nga kundërshtari”.

Argjentina e mbajti Spanjën nën kontroll në pjesën e parë dhe shkoi në pushimin 15-minutësh me disavantazhin 2-1. Por, skuadra e Sampaolit u rrëzua në pjesën e dytë, falë Isco në formë frymëzuese, teksa lojtari i Real Madridit shënoi “hat-trick” e tij të parë ndërkombëtar. “Në pjesën e dytë, Spanja na rrëmbeu fushën, duke sulmuar shumë drejtpërdrejt, – shtoi Sampaoli. – Golat erdhën shumë shpejt dhe kjo bëri ndryshimin në rezultat. Rezultati e bën të qartë se duhet ta analizojmë thellë vetveten, për të vazhduar punën, në mënyrë që gjëra të tilla të mos na ndodhin në Kampionatin Botëror. Qëllimi ishte të mbrohemi më shumë me topin, por nuk kemi arritur ekuilibrin dhe fortësinë që prisnim”.