11:53 / E Martë, 13 Shkurt 2024 / L K

Klubet e Serie A-së votojnë që kampionati të mbetet me 20 ekipe

Klubet e Serie A-së gjatë ditës së sotme, votuan që kampionati të mbetet në formatin aktual me 20 ekipe, pas propozimit të disa ekipeve për ndryshim të formatit nga 20 në 18 ekipe.

Gjigantët e futbollit italian Inter, Milan, Juventus dhe Roma ishin ata që propozuan për ndryshim, dhe iu duhej një shumicë prej 14 për të kaluar reforma, por të gjithë ekipet tjera të Serie A-së refuzuan duke e mbajtur formatin ashtu siç ka qenë deri më tani, shkruan IndeksOnline.

“Unë jam kundër, ashtu si të gjitha klubet e tjera të mesme dhe të vogla. Nuk e kuptoj pse duhet t’u mohojmë kaq shumë skuadrave shansin e tyre për të ëndërruar”, tha presidenti i Lecces, Saverio Sticchi Damiani muajin e kaluar.

Është miratuar edhe një propozim për reforma, i cili do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) në muajin mars. Liga italiane po kërkon më shumë autonomi nga FIGC, e ngjashme me Premier League në Angli.