15:29 / E Enjte, 09 Korrik 2020

Klubi i Prodhuesve të Kosovës e përkrah vendimin për uljen e normës së akcizës për lëngjet

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar edhe një vendim i cili përkrah fuqizimin e prodhuesve vendor e që ka të bëjë me uljen e normës së akcizës për lëngjet. Klubi i Prodhuesve të Kosovës përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se e përkrah një vendim të tillë. Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka thënë se kjo ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendor, e në veçanti të sektorit të lëngjeve, dhe është një ndihmesë shumë e madhe sidomos pas situatës së krijuar në sektorin e prodhimit pas pandemisë COVID19.

Pas shqyrtimit të kërkesave të prodhuesve, Ministria e Financave ka propozuar që lëngjet e caktuara, subjekt i shifrës 2202, të cilat kanë normë të akcizës në vlerë prej 0.045€ (katër cent e gjysmë) një litër, kjo normë e akcizës ulet në 0.005€ (gjysmë centi) për një litër. Ky propozim vendim i votuar sot nga Qeveria, hyn në fuqi në momentin kur njoftohet Komisioni për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Edhe njëherë prodhuesit vendor janë të kënaqur dhe shprehin falënderimin për përkrahjen e ofruar dhe shpresojnë që vendime të tilla të jenë shumë më të shpeshta dhe që kërkesat e tyre do të merren parasysh edhe në të ardhmen”, thekson komunikata.

Mos i humb