18:58 / E Martë, 29 Maj 2018

Koci: Në rastin e HIB-it u bënë shumë shkelje, vendimet e tilla s’e luftojnë korrupsionin

Avokati i kompanisë, HIB Petrol, Arianit Koci ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila dënoi pronarin e kësaj kompanie për mashtrim të Komunës së Prishtinës me naftë jocilësore.

Koci në një postim në Facebook ka shkruar se gjatë procesit gjyqësor kishte disa shkelje të mëdha, të cilat të jepnin përshtypjen se vendimi për HIB-in ishte marrë akoma pa përfunduar gjykimi, transmeton Indeksonline.

Ai ka paralajmëruar se do të ushtrojnë ankesë, duke shprehur besimin se kjo cështje do të ketë një fund të mirë.

Ky është postimi i Kocit:

Qëndrimi profesional i mbrojtjes lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në çeshtjen penale kundër kompanisë HIB Petrol.

Zakonisht nuk i komentojmë vendimet gjyqësore, megjithatë si vendimi i marrë nga Gjykata Themelore ashtu edhe i gjithë procesi që i ka paraprirë këtij vendimi është karakterizuar me shkelje të mëdha të Ligjeve Penale në Kosovë.

Ne, si përfaqësues të autorizuar të kompanisë Hib Petrol, besojmë fuqishëm që aktgjykimi nuk është bazuar në prova kredibile ligjore. Gjatë këtij procesi na është kufizuar mbrojtja efektive e klientëve tonë. Ky kufizim është manifestuar në refuzimin e pothuajse të gjitha propozimeve e bëra nga mbrojtja e të cilat kishin për qëllim vërtetimin e plotë të gjendjes faktike. Në fakt, gjatë këtij procesi është krijuar përshtypja se Gjykata kishte vendosur për epilogun e këtij gjykimi ende pa përfunduar i njëjti!

Aktakuza dhe procedimi penal i kësaj çështjeje mbështetet në mostrat e marra në kundërshtim me ligjet në fuqi ngase nuk është respektuar procedura për kontrollimin e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës.

Disa nga shkeljet me rastin e marrjes së mostrave të cilat e bëjnë provën të paligjshme janë: i) Mosprezenca e Inspektoriatit të Tregut gjatë marrjes së mostrave; ii) Mosdorëzimi i mostrës referente palës – në këtë rast kompanisë Hib Petrol, për të siguruar papranueshmërinë e rezultateve të testimeve; iii) Mënyra e mostrimit nuk është bërë në pajtim me kërkesat ligjore, ku gjatë marrjes së mostrave ka përdorur mostrën e pasigurt, lehtë të manipulueshme, jashtë standardit dhe tërësisht në kundërshtim me rregullat e mostrimit; iv) Nuk është bërë plombimi i shisheve /kontenjerëve të përdorura për marrjen e mostrës; etj.

Argument tjetër në favor të kompanisë Hib Petrol ishte gjendja e rezervuarëve të naftës. Ligji për Kërkesat Teknike për Produkte dhe për vlerësim të Konformitetit përcakton obligimin ligjor që të mirëmbahen dhe të pastrohen rezervuarët e shkollave çdo një vit, në mënyrë që të ruhet kualiteti i naftës. Ashtu siç e vërtetojnë drejtorët e shkollave këto rezervuar të naftës nuk ishin pastruar asnjëherë dhe nuk ishte bërë asnjë inspektim i jashtëm i rezervuarit përkundër obligimit ligjor për një gjë të tillë. Kjo padyshim se ka ndikuar në gjendjen e rezervuarëve të naftës në të cilët është akumuluar papastërtia me vite të tëra. Ka pasur raste kur mostra e naftës së marrë nga autoboti i deponisë së Kompanisë HIB ka qenë në rregull, ndërsa mostra e po të njejtës naftë të marrë nga rezervuari i një shkolle ka dalur me sasi të lartë të sulfurit. Në anën tjetër, në ato shkolla ku rezervuarët ishin ose të rinjë ose të pastruar, rezultatet e mostrave sa i përket sulfurit kishin dalur në përputhje me parametrat e përcaktuara me ligj, për dallim nga mostrat e marrura nga shkollat me rezervuarë të vjetra dhe të papastruara.

Gjatë këtij procesi janë prezentuar në gjykatë një numër i ekspertizave për të bërë vërtetimin e gjendjes faktike. Dy ekspertizat kyçe për procesin kishin arritur përfundime tërësisht të ndryshme. Ne kemi kërkuar që ekspertët të thirren për të dhënë sqarime shtesë lidhur me ekspertizat e tyre, por gjykata na ka refuzuar një gjë të tillë. Ne poashtu kemi kërkuar që Gjykata të urdhëroj realizimin e një superekspertize për të vërtetuar pikat mospajtuese të ekspertizave të administruara, por edhe ky propozim na është refuzuar nga ana e Gjykatës.

Një rast eklatant i këtyre refuzimeve të vazhdueshme të gjykatës ndaj propozimeve tona është rasti kur ne kemi kërkuar që seanca gjyqësore të shtyhet për dy apo tre ditë, për shkak se bashkëshortja e njërit nga avokatëve kishte për t’ju nënshtruar një operacioni të rëndë. Edhe në këtë kërkesë nuk kemi hasur në mirëkuptim nga Gjykata, me arsyetimin se kemi urdhra të prerë për përfundimin e kësaj lënde në një afat sa më të shpejtë kohor.

Është e papranueshme që qytetarët e pafajshëm të shndërrohen në dëm kolateral të procesit të liberalizimit të vizave. Mund të ketë edhe arsye tjera. Sidoqoftë, aktgjykimet e tilla dënuese, pa mbështetje në prova nuk janë në funksion të sundimit të ligjit dhe të luftës kudër krimit e korrupsionit.

Padyshim se do të ushtrojmë ankesë dhe besojmë fuqishëm se kjo çeshtje do të ketë fundin e mirë./Indeksonline/

Mos i humb