13:35 / E Martë, 17 Maj 2022 / B O

Komisioni për Siguri e Mbrojtje shkon në Veri të Mitrovicës

Komisioni Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka bërë vizitë zyrtare në Veri dhe Jug të Mitrovicës.

Për agjendën e takimit dhe temat e diskutimit ka njoftuar deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci.

“Në kuadër të aktiviteteve për mbikëqyrjen e institucioneve të sigurisë, sot, si Komision Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje i Kuvendit të Republikës së Kosovës, vizituam Drejtorinë rajonale të Policisë në veri të Mitrovicës dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në jug.
Në Drejtorinë Rajonale në veri të Mitrovicës, u pritëm nga drejtori rajonal i policisë, Nenad Gjuriq dhe Zv.Drejtori Rajonal Besim Hoti.
Si Komision u informuam për sigurinë dhe problemet më specifike të veriut të asaj zone.
Biseduam për kërkesat e tyre si ndërtimi i hapësirave të reja, situatën e sigurisë së qytetarëve, incidenteve të ndryshme, problemin e narkotikëve dhe vjedhjeve.
Gjatë vizitës në Drejtorinë Rajonale në jug të Mitrovicës, u pritëm nga Drejtoresha Rajonale Afërdita Mikullovci dhe stafi i saj, ku ndër të tjera u interesuam edhe për sigurinë në shkolla.
Aty u informuam edhe për të arriturat dhe sfidat që stafi policor dhe ai civil ballafaqohen me punën.
Nga biseda me stafin policor morrëm shumë informata, se si mund të ndihmojmë si Komision për Siguri, përmes rekomandimeve që do t’i bëjmë për përmirësimin e kushteve të tyre” shkruan Bajqinovci në njoftim.