23:07 / E Mërkurë, 03 Tetor 2018 / indeksADMonline

Komandanti i FSK-së: Ushtria po bëhet në koordinim me partnerët e huaj

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) shumë shpejt pritet të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK). Janë institucionet e vendit ato që po mundohen të punojnë intenzivisht në mënyrë që ky proces të ecën përpara. Projektligji për FSK-në tashmë ka arritur në Kuvendin e Kosovës dhe janë deputetët ata që do të vendosin përfundimisht nëse do të këtë transformim apo jo.

Të gjitha subjektet politike në Kuvend, me përjashtim të Listës Serbe janë deklaruar se do të votojnë pro ligjeve që i hapin rrugë formimit të ushtrisë.

Me të marrë mbështetje nga miqtë amerikan për këtë proces, kryeministri i vendit ka njoftuar edhe Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Në një bisedë për Indeksonlie, Rama ka treguar se gjatë kësaj jave ai ka zhvilluar një takim me kryeministrin Haradinaj përkitazi me këtë transformim që pritet të bëhet.

“Kemi pas takim zyrtar dje me kryeministrin Ramush Haradinaj. Më ka njoftuar për takimet që i ka pas për përkrahjen që e ka marr nga partnerët tanë. Kjo është një procedurë normale, sikur të gjitha ligjet tjera, komisioni për mbikëqyrjen e FSK-së i ka rregullat e veta, do ta rishikojë edhe njëherë të jap edhe ndonjë sqarim shtesë”, ka thënë ai për Indeksonline.

Rama gjatë bisedës ka vlerësuar se për këtë çështje gjithmonë janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

“I koordinojmë të gjitha aktivitetet me partnerët tanë, sepse qëllimi ynë është të jemi pjesë e strukturave euroatlantike në këtë rast të NATO-s, gjithçka që kemi bërë jemi bazuar në standarde të NATO-s dhe partnerëve tanë”, ka shtuar tutje ai.

Vlen të kujtojmë se kryeministri Haradinaj ka marrë përkrahjen e miqve ndërkombëtar për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, mirëpo njohës të çështjeve të sigurisë konsiderojnë se një proces i tillë mund të zgjasë me vite./Indeksonline/