75 Mall Live Search
12:29 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Komuna e Prishtinës i lë pa paga tash e katër muaj punëtorët e Pallatit të Rinisë

Komuna e Prishtinës ka kohë që e ka marr nën menaxhim Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

Por, punëtorët e kësaj ndërmarrje ende nuk kanë marrë paga duke shënuar kështu muajin e katërt që po punojnë pa u paguar për punën e tyre.

Përkundër premtimeve të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti se rrogat do të dalin këtë muaj, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ani pse sot jemi në ditën e gjashtë të muajit dhjetor.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj ndërmarrje, Ilir Dugolli ka thënë për Indeksonline se ende janë duke pritur për rrogat.

“Jemi ende në proces, po presim”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky është muaji i katërt që nuk janë paguar për punën që ata po kryejnë në këtë ndërmarrje.

“Nuk jemi paguar në muajin shtator, tetor, nëntor dhe tash në dhjetor po punojmë pa marrë paga”, është shprehur Dugolli.

Ndryshe, problemet me pagesat në këtë ndërmarrje janë arsyetuar nga ana e zyrtarëve komunal me probleme  me xhirollogari bankare dhe probleme me regjistrimin e kësaj ndërmarrje./Indeksonline/