15:19 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Komuna e Prishtinës merr vendim që ta mbyllë këtë çerdhe (Foto)

Me kërkesë të Drejtorisë Komunale të Arsimit, Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave ka caktuar një komision të përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, për ta vizituar çerdhen “Yllkat” në lagjen Vellusha, për shkak sa janë vërejtur disa plasaritje në objekt. Objekti i kësaj çerdheje është ndërtuar në vitin 1984, dhe ka kapacitet për 220 fëmijë.

Gjatë kontrollimit, inxhinierët kanë vërejtur se ky objekt tashmë është shumë i dëmtuar, dhe se paraqet rrezik për fëmijët dhe stafin e çerdhes. Në disa pjesë të themeleve, janë vërejtur plasaritje të theksuara, kurse brenda objektit plasaritjet janë edhe më të thella dhe janë horizontale, gjë që dëshmon se themelet e objektit “”kanë fjetur”. Në njërën prej dhomave të fëmijëve ka lëvizur pllaka e dyshemesë. Kësisoj, komisioni i përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, ka vlerësuar se: “Dëmtimet në këtë objekt janë jashtëzakonisht të mëdha, andaj propozojmë që urgjentisht të merren masat si preventivë – largimi i fëmijëve dhe personelit me qëllim të evitimit të pasojave eventuale”.

Bazuar në këtë vlerësim të komisionit, Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’i largojë fëmijët dhe stafin nga ajo çerdhe, dhe t’i zhvendosë përkohësisht në çerdhe të tjera, në konsultim edhe me prindërit dhe grupet e interesit.

Objekti çerdhes “Yllkat” do të rrënohet, dhe do të ndërtohet një çerdhe e re në këtë lagje.