Komuna e Prishtinës prezanton sot vendimet e marra për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit
Komuna e Prishtinës do prezantojë vendimet e marra sot në lidhje me masa emergjente të uljes së nivelit të ndotjes së ajrit.
Përmes një njoftimi, komuna ka bërë të ditur se konferenca për media do të mbahet sot duke filluar nga ora 14:00.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë takuar dje ndaras me Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, si dhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, me kërkesa konkrete për hapat që duhet ndërmarrë bashkërisht për të ndikuar kështu në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet, transmeton Indeksonline.
Në takimin e përbashkët këto institucione u dakorduan që nga 31 janari të fillohet me zbatimin e masave emergjente, që janë të përkohshme deri në një vendim tjetër:
-Reduktimi i numrit të makinave që qarkullojnë në kryeqytet, qoftë përmes ndaljes të të gjitha makinave që vijnë nga qytetet tjera, në hyrjet e kryeqytetit, në intervalet kohore 06:00-09:00 dhe 16:00-22:00; qoftë përmes seleksionimit të qarkullimit të makinave varësisht numrit të targave në të gjithë qytetin e Prishtinës (targat që numrin e fundit e kanë tek, qarkullojnë në datat tek; targat që numrin e fundit e kanë çift, qarkullojnë në datat çift). Do të sigurohen hapësira për parkim në hyrje të kryeqytetit, derisa të tejkalohet kjo fazë emergjente. Në të dyja rastet, do të shfrytëzohen pa pagesë autobusët e Trafikut Urban, që do të stacionohen në pikat më të frekuentuara./Indeksonline/