14:24 / E Premte, 26 Janar 2018 / indeksADMonline

Konfirmohet kërkesa e Serbisë për ndihmë juridike në rastin “Ivanoviq”

Janë bërë 10 ditë nga vrasja e kryetarit të iniciativës qytetare serbe “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Ai nga persona të paidentifikuar u qëllua me armë zjarri para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Zbardhjen e këtij rasti po e kërkojnë nga ajo ditë të gjitha institucionet e Kosovës si dhe ato të Serbisë, shkruan Indeksonline.

Madje, Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka pranuar një kërkesë nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë, për ndihmë juridike të ndërsjellë për rastin “Ivanoviq”, të cilës i është bashkëngjitur kërkesa e Prokurorisë për Krim të Organizuar të Republikës së Serbisë.

Këtë kërkesë e ka pranuar ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, i cili ka konfirmuar për Indeksonline se tashmë i ka parë kërkesat e Serbisë.

“Kërkesat nga Serbia i kemi marr por për shkak të ndjeshmërisë nuk mundemi me i bë publike. Unë ia kam përcjell kërkesat e tyre kryeprokurorit të rastit, në këtë rast dy prokurorëve që merren me këtë rast dhe tash çdo shkëmbim i informatave do të shkoj përmes dy ministrive, asaj të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Tahiri, duke përsëritur se përmbajtja nuk mund të bëhet e ditur për publikun.

Ai ka theksuar se për disa kërkesa, tashmë i janë përgjigjur institucioneve të Serbisë, të cilat kërkojnë urgjent të zgjidhet misteri i vrasjes së Ivanoviqit.

“Kam marr kërkesa nga prokuroria serbe përmes ministrisë së drejtësisë së atjeshme dhe ia kam përcjell prokurorëve që janë të ngarkuar me rastin. Një përgjigje ua kemi kthyer derisa për disa çështje tjera kemi mbetur që t’i kthejmë më vonë sepse nuk kanë qenë ende kërkesat e gatshme. Komunikimi dhe bashkëpunimi do të vazhdoj përmes dy ministrive sa i përket këtij rasti’, ka thënë tutje Tahiri.

Kujtojmë se vrasja e Oliver Ivanoviqit është duke u hetuar nga një ekip prej dy prokurorëve të Prokurorisë sonë, Nijazi Rexha dhe Jova Radoviq.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri në këtë fazë të hetimeve ende nuk ka ndonjë person të dyshuar për rastin në fjalë, por që hetimet janë duke u zhvilluar me një intensitet të shtuar nga autoritetet kompetente.

Vrasja e Ivanoviqit solli në Kosovë vikendin e kaluar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili zhvilloi takime me serbët që jetojnë këtu.

Po ashtu, ditën kur Ivanoviq u vra, delegacioni serb anuloi raundin e radhës të bisedimeve me Kosovën, të paralajmëruar të mbahej në Bruksel. /Indeksonline/