10:23 / E Premte, 18 Maj 2018 / k.v

Konfiskohen dy armë në Prishtinë

Dje rreth orës 14:00 në lagjen Emshir, saktësisht në rrugën “12 Qershori” në Prishtinë, policia ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje paleje.

I gjithë aksioni është zhvilluar nga njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, respektivisht nga njësiti me rroba civile, të cilët kanë vërejtur personin e dyshuar duke fshehur armët prapa një shkurreje në rrugën e sipërshënuar.

Ka qenë i shpejtë reagimi i policisë, ai që ka mundësuar arrestimin e personit të dyshuar: F.H. mashkull, 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Policia ka konfiskuar dy armë: një armë e shkurtër e tipit Zastava Magnum 357 dhe një armë e shkurtër e tipit Bereta” cal. 7.65, dhe 11 fishekë.

Personi i dyshuar pas arrestimit me urdhër të Prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërkohë që me rastin po merret ,Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë./Indeksonline/