13:13 / E Enjte, 20 Korrik 2023 / LB

Konjufca në Francë, pritet me nderime të larta shtetërore

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po qëndron për vizitë zyrtare në Francë. Kryeparlamentari ka takaur homologen e tij, Braun-Piver të cilën e ka falëndëruar për kontributin e Francës në drejtim të Kosovës ndër vite.

“Diskutuam për situatën aktuale në vendet tona dhe për sfidat nëpër të cilat gjendemi aktualisht. I theksova zj. Yaël Braun-Pivet përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës ndaj angazhimeve tona që në vëmendje kanë shembullin, mjetet dhe frymën e Bashkimit Evropian, unionit të vlerave dhe qëllimeve tona të përbashkëta”, ka shkruar ndër të tjera Konjufca.

Postimi i plotë i Konjufcës:

Sot kisha kënaqësinë që në kuadër të vizitave zyrtare në Francë, i shoqëruar nga Ambasadori Mehdi Halimi, Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli dhe Këshilltari Donik Sallova, të takoja Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Francës, znj. Yaël Braun-Pivet, Nënkryetaren e Asamblesë Kombëtare, znj. Valérie Rabault, Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, z. Jean-Louis Bourlanges, Deputetin për francezët që jetojnë jashtë Francës, z. Frédéric Petit dhe Kryetarin e Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë, z. Jean-Philippe Ardouin.

Në këtë takim miqësor dhe të frytshëm theksuam nevojën për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve tona aleate, si në rrafshin e raporteve mes institucioneve tona parlamentare, ashtu edhe në nivel të plotë shtetëror.

Republika e Kosovës është shumë e interesuar që partneriteti mes dy vendeve tona të jetë jo vetëm i vazhdueshëm dhe i palëkundur, por edhe të thellohet më tej duke lëvruar gjithë potencialin e vet, nga pikëpamja institucionale, kulturore, ekonomike dhe politike, si përgjigje e domosdoshme ndaj rrethanave ku gjendemi aktualisht si bllok perëndimor, me vlera dhe synime të përbashkëta që i mbrojmë dhe i zhvillojmë.

Homologen time, znj. Yaël Braun-Pivet e falenderova për kontributin e Francës në drejtim të Kosovës ndër vite, asistencën e vyer që vendit tonë i ka sjellë sot sukses në cilësitë e shtetndërtimit, në sundim të ligjit dhe demokratizimin shembullor në rajon. Arritjet e shtetit tonë janë edhe suksese të aleatëve tanë që na kanë mbështetur dhe kanë dhënë kontributin e tyre, e ndaj të cilëve ne jemi mirënjohës.

Diskutuam për situatën aktuale në vendet tona dhe për sfidat nëpër të cilat gjendemi aktualisht. I theksova zj. Yaël Braun-Pivet përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës ndaj angazhimeve tona që në vëmendje kanë shembullin, mjetet dhe frymën e Bashkimit Evropian, unionit të vlerave dhe qëllimeve tona të përbashkëta.