11:31 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Konjufca: Nuk ka vullnet politk për luftimin e korrupsionit në Kosovë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kritikuar Qeverinë për mos zbatimin e pakos së reformave evropiane.

Në seancën e sotme plenare, Konjufca tha se kjo pako ka mbetur vetëm diskurs politik i thatë dhe elektoral. E kjo sipas tij, bënë që Kosova të jetë larg integrimeve evropiane.

Ai ka folur edhe për vizitën e fundit të komisionarit Johanes Hahn në Kosovë, me ç’rast u shpreh se Hahn është dashur të shpallë pakon e dytë të Agjendës së reformave, por në mungesë të implementimit të pakos së parë, nuk kishte mundur.

“Krejt çka i mbeti komisionarit Hahn, fatkeqësisht, ishte që ta lajmëronte dështimin e liberalizimit të vizave. Nëse e shihni nivelin e realizueshmërisë të agjendës, është me të vërtetë e pikëlluese dhe për çdo kritikë. Prej 22 prioriteteve dhe 135 masave që ka pasur me i ndërmarr Qeveria e Republikës të Kosovës, deri më tash janë zbatuar më pak se gjysma e tyre. Pra ka vonesa të pajustifikueshme për implementimin e reformave në Kosovë dhe kjo tregon se sa larg është Kosova në rrugën e saj të procesit të integrimeve evropiane”, tha ai.

Sipas tij, Kosova qëndron keq në secilën prej shtyllave që ka agjenda. Konjufca shtoi se nuk ka vullnet politik për luftimin e korrupsionit.