12:31 / E Hënë, 28 Shtator 2020 / indeksADMonline

Konsumi në 3 muajt e fundit: Më së shumti u importua mish, qumësht, fruta e drithëra

Zakonisht në sezonin e verës, konsumohen ushqime të lehta, e pjesë e tryezave të familjeve kosovare janë pa dyshim edhe frutat.

Mirëpo, as mishi nuk mbetet anash kërkesës së kosovare gjatë këtyre muajve.

IndeksOnline ka pyetur në Doganën e Kosovës se çka u konsumua më së shumti gjatë kësaj periudhe, më saktësisht çka u importua më së shumti në tregun e Kosovës.

E në përgjigjen e dhënë nga zëdhënësi i saj, Adriatik Stavileci, kuptohet se në krye të listës, të produkteve më të kërkuara nga jashtë vendit prijnë mishi, qumështi, pjepri, shalqini e drithërat.

Në muajin qershor mish i gjedheve i freskët apo i ftohtë janë importuar 83 mijë e 598.42 kilogramë, e që kapin vlerën e 250 mijë e 741.24 eurove. Ndërsa mish i gjetheve i ngrirë janë importuar 392 mijë e 602.34 kilogramë, që kanë vlerën e 1 milion e 215 mijë e 276.90 eurove.

Ndërsa në muajin korrik janë importuar  293 mijë e 745.39 kilogramë mish o gjedheve i ngrirë, e mish dhe të brendshme të ngrëshme të tij, të freskëta apo të ftohta dhe të ngrira në total janë importuar 3 milionë e 378 mijë e 230.90 kilogramë e që kanë vlerën e 3 milionë e 548 mijë e 240.93 euro.

Ndërsa gjatë tërë muajit gusht brenda Kosovës kanë hyrë mish i gjedheve i freskët apo i ftohtë 99 mijë e 484.14 kilogramë e që kanë shumën e 282 mijë e 256.34 eurove.

Në shtator brenda Kosovës janë importuar 57 mijë e 342.80 kilogramë, ndërsa mish i ngrirë janë importuar 332 mijë e 625.06 kilogramë.

E që në total i bie 11 milionë e 559 mijë e 863.28 kilogramë, mish i importuar gjatë kësaj periudhe tremujore.

Ndërsa qumësht nga qershori e deri më 24 shtator, në Kosovë janë importuar 9 milionë e 301 mijë e 465.33 litra.

Shalqini dhe pjepri, kanë qenë po ashtu ndër produktet ushqimore më të konsumuara e edhe që prijnë për nga sasia e tyre. Janë saktësisht 21 milionë e 384 mijë e 430 kilogram shalqinj, pjepër që janë importuar në Kosovë.

Në anën tjetër gruri po ashtu ka qenë një produkt mjaft i konsumuar gjatë këtyre muajve.

Janë saktësisht 29 milionë e 294 mijë e 244.96 kilogramë.

Ndërsa drithërat e tjerë, ku përfshihet misri janë importuar gjatë kësaj periudhe kohore nga qershori e deri më 24 shtator, 20 milionë e 214 mijë e 483.80 kilogramë./IndeksOnline