11:41 / E Premte, 26 Prill 2019 / indeksADMonline

Kontejnerët nuk i zënë mbeturinat, për shkak të mospastrimit hidhen edhe në tokë

Kontejnerët në gjithë kryeqytetin janë stërmbushur nga mbeturinat e hedhura nga qytetarët.

Por, pastrimi i tyre që zakonisht bëhej në mbrëmje, më nuk do të ndodh, kjo pasi kompania e mbeturinave “Pastrimi” që nga sot nuk do të bëjë grumbullimin dhe largimin e tyre.

Edhe mëngjesi i sotëm e gjeti Prishtinën të mbushur me mbeturina që janë shpërndarë edhe jashtë kontenjerëve.

Kjo për shkak se kompania në fjalë gjendet në prag të kolapsit për shkak të bllokimit xhirollogarive bankare nga Kompania e Deponineve të Kosovës.

Një pamje e tillë me mbeturina edhe jashtë kontejnerëve është në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, afër objektit të Prokurorisë.

Siç shihet në këto fotografi, mbeturinat janë shpërndarë edhe në sipërfaqen e tokës, duke ndotur kështu ambientin dhe rrezikuar shëndetin  qytetarëve që kalojnë afër tyre.


Kontejnerët në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë

Për këtë gjendje, ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës e cila ka treguar se është e gatshme të huazoj katër mijë litra derivate kompanisë “Pastrimi”, në mënyrë që të mbledh dhe largojë mbeturinat.

Sipas tyre, kjo situatë është e papranueshme dhe paraqet rrezik publik për të gjithë, jo vetëm në Prishtinë por edhe vendet e tjera.

“Nuk duhet lejuar që për shkak të problemeve dhe çështjeve të pazgjedhura brenda kompanive publike që ofrojnë shërbime të pësojnë qytetarët e Prishtinës. Për më tepër, Kompania “Pastrimi” është kompani rajonale dhe pasojat barten edhe në komunat tjera. Situata me mbeturinat e krijuara është e papranueshme! Por, edhe paraqet rrezik serioz për shëndetin publik të gjithë neve. Komuna e Prishtinës është treguar e gatshme t’i huazojë 4 mijë litra derivate për kompaninë “Pastrimi”, në mënyrë që të evitohet kjo  gjendje alarmante”, thuhet në fund të shkrimit”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndryshe, ‘Pastrimi’ që disa ditë ka njoftuar se për shkak të bllokimit të xhirollogarive bankare do të ndërprerjen e mbledhjes dhe largimin e mbeturinave.

Për këtë shkak edhe sot në Prishtinë kontenjeret nuk janë pastruar dhe mbeturinat kanë dalë jashtë tyre, duke ndotur jo vetëm ambientin, por edhe rrezikuar shëndetin e  qytetarëve./Indeksonline/