17:04 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

Korrupsioni duhet të jetë synim, jo vetëm pse është kusht për liberalizim

Kosova duhet ta ketë prioritet luftën ndaj korrupsionit jo vetëm pse është kusht për liberalizimin e vizave, por pse është e domosdoshme për të qenë një shtet demokratik.

Kështu u tha në tryezën e diskutimit me temë “Luftimi i korrupsionit synim yni apo kusht për liberalizim të vizave”, organizuar nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri, tha se më së shumti e ka shkaktuar korrupsionin në Kosovë, papërgjegjësia publike e institucioneve të vendit. Madje, sipas tij, kjo e ka dëmtuar edhe vetë procesin e shtetndërtimit, përveç që e ka dëmtuar drejtpërdrejt edhe demokracinë.

Sipas deputetit Ymeri, lufta kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar asnjëherë nuk do të jetë e suksesshme nëse e shohin si një luftë që bëhet me një qëllim të caktuar. Derisa, i ka ndarë në tri shtylla aferat me të mëdha të korrupsionit që kanë ndodhur.

 

“E para, natyrisht është prokurimi publik, në të cilën ka pasur ose është folur shumë për kontrata të fiksuara korruptive sa i përket punëve botërore që janë kryer nga institucionet publike. E dyta, është procesi i privatizimit, në të cilin jo vetëm ka pasur kontrata të fiksuara e në dëm të ekonomisë së vendit, por tash se voni po shihet se ka pasur edhe tjetërsim pronës publike për interesa private të ndikuar nga persona me fuqi politike, siç është rasti toka që është në gjykim, por edhe tjera. Dhe e treta, do të kishte me qenë mënyra se si janë trajtuar ndërmarrjet publike dhe agjencitë publike dhe ndërmarrjet e pavarura”, tha Ymeri.

Rekomandime se si duhet qasur luftës ndaj korrupsionit, kanë dhënë edhe përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare. Këshilltari ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, Florent Spahija, theksoi se në vitin 2017 ka pasur një progres të vogël të Kosovës në luftën kundër korrupsionit.

Transparency Internacional, sipas tij, e ka vlerësuar me tre pikë më tepër Kosovën, ku ka zbritur nga vendi 95 në atë të 85-të, por që vazhdon të jetë shumë larg nga aty ku pretendon.

 

“Një gjë që është e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, e që e kemi potencuar gjithmonë është krijimi i mekanizmave kontrollues dhe detyrimi i atyre mekanizmave që të funksionojnë, sepse në shumë raste kemi mekanizma, por që nuk funksionojnë. Rasti i parë që kisha dashur ta ceku që është pikë e raporteve ndërkombëtare dhe përmendet është edhe zyrtarët e larë të akuzuar për korrupsion mos me qenë pjesë e institucioneve. Kontroll më i thellë i financave të partive politike, me këtë dua të them se shumica e partive nuk i kanë financat e deklaruara”, theksoi ai.

Genc Nimoni nga organizata Çohu, ka potencuar faktin se nuk ka ndjekje të profileve të larta dhe këtë e tregojnë disa raste, që sipas tij, kanë dështuar.

 

“Ajo që kemi identifikuar na është se mungon ndjekja e profileve të larta, do të thotë nuk kemi profile të larta që janë ndjekur brenda këtyre viteve, apo janë ndjek një numër i vogël i zyrtarëve që nuk janë në funksionet me të rëndësishme shtetërore. Këto i lidhim edhe me faktin se aktakuzat fatkeqësisht janë të dobëta nga ana e prokurorisë. Nëse marrim vetëm tre raste model mund të shohim se cili është efektiviteti i prokurorisë. Është rasti i Lutfi Hazirit, rasti i Agim Bahtirit kryetar i Mitrovicës dhe rasti ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja”, tha ai.

Ndërsa, Isuf Zejna nga Demokracia Plus, ka vlerësuar se prokurimi publik është më problematiku.

 

“Për vitin 2012 deri 2016 ky institucion ka evidentuar 1105 shkelje në prokurim publik vetëm përmes ankesave që janë dorëzuar nga palët. Pra, është një numër i madh i ankesave që janë dorëzuar, mirëpo që këto shkelje nuk janë shoqëruar me masa tjera. Ka pasur vetëm katër zyrtarë që ua është hequr licenca e prokurimit, ka pasur pesë kompani që janë futur ne listë të zezë dhe pesë institucione që janë gjobitur nga 5 mijë deri 20 mijë euro”, tha Zejna.

Grupi i Deputetëve të Pavarur do të thërrasë debat parlamentar për të diskutuar pikërisht për këtë temë në Kuvendin e Kosovës. Por, deputetë të këtij grupi parlamentar thanë se me këtë tryezë kanë dashur të marrin sa më shumë rekomandime dhe informacione rreth korrupsionit.