14:11 / E Premte, 24 Gusht 2018 / indeksADMonline

Kosova e rrezikuar për sasi të ujit

Keqmenaxhimi i deponive, mungesa e ujit të pijes, prerja e paligjshme e pyjeve, ndotja e lumenjve, niveli i ulët i ndërgjegjësimit të qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit dhe rrezikimi i shëndetit të banorëve nga ndotja e mjedisit, ishin disa nga temat që u diskutuan në tryezën me temën “Pjesëmarrja aktive dhe gjithëpërfshirëse për politikat mjedisore në Kosovë”, të organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare.

Takimi kishte për qëllim ofrimin e mundësive për shkëmbim të ideve dhe ekspertizave në fushën e mjedisit, duke shqyrtuar dhe rritur ndërgjegjësimin e aktiv qytetar.

Drejtoresha e ekzekutive e FIQ, Dajana Berisha theksoi se ka probleme të mëdha në fushën e mjedisit, e që sipas saj, duhet një angazhim dhe vetëdijesim.

Sipas saj, problem madhor del të jetë edhe mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet komunave dhe qeverisë, me përjashtim të komunës së Prishtinës.

“Mendojë që në momentin aktual në të cilin gjendemi, pavarësisht se i jep rëndësi edukimit, duhet me reaguar fuqishëm në këto momente. Pavarësisht se ka vende të bukura të turizmit, njerëzit janë mikpritës, vendi është i pa pastër, e kjo është e rëndë… nuk jam shumë pro “Që ta pastrojmë Kosovën”, për arsye se shpenzohen shumë mjete financiare me projekte të tilla dhe në fund të ditës ku jemi, asgjë”, ka thënë Berisha.

Leutrim Sahiti, këshilltar në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka thënë mjedisi për herë të parë është prioritet i qeverisë dhe qytetarëve.

Sipas tij, për ata që gjuajnë mbeturina vend e pa vend do të ketë ndëshkime nga shtatori.

Ai tutje tha se MPMH ka kërkuar që të ndalohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje nëpër shkolla, si dhe është kërkuar që KEK të ndalojë dhënien e thëngjillit falas për punëtorët e saj.

Për fushën e ujërave, Sahiti ka pranuar se ka probleme edhe në këtë sektor, por që janë të angazhuar për eliminimin e tyre.

“Profesori me të drejtë e ngriti si shqetësim, është fakt që aktualisht kemi një impiant në Skenderaj, i pari që është ndërtuar në Kosovë, është në fazën finale ndërtimi i impiantit në Prizren, po ashtu në Prishtinë jemi në fazën e negociatave me ndërkombëtarët sa i përket ndërtimit të këtij impianti, mirëpo paralelisht para ndërtimit të këtij impianti është duke u bërë edhe ndërtimi i kolektorëve në Prishtinë. Po ashtu edhe në Pejë, jemi në fazën fillestare të fillimit të ndërtimit të impiantit dhe të gjitha këto dëshmojnë që për herë të parë pas luftës në Kosovë me marrjen e mandatit tonë,  mjedisi dhe mbrojtja e tij është prioritet qeveritar”, ka thënë Sahiti.

Profesori në Fakultetin e Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi ka thënë se rrjedhjet e lumenjve janë shndërruar në kanale të ujërave të zeza. Ai ka thënë se MMPH duhet të fokusohet në investimet impianteve dhe nëse nuk bëhet një gjë e tillë nuk do të ketë zgjidhje të problemeve.

“Kosova viteve të fundit llogaritet si një prej shteteve që është në kufijtë e rrezikut për sasi të ujit për kokë banori, sasi të ujit të përdorshëm dhe të nevojshëm. I nevojitet shumë pak që të bie në grupin e shteteve që janë të rrezikuara  për sasi të ujit për kokë banori”, ka thënë Bulliqi.

Në këtë tryezë debutuesit e tjerë kërkuan menaxhim më të mirë për mbrojtën e mjedisit në Prishtinë dhe Kosovë.

Temat: