18:08 / E Hënë, 25 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kosova kërkoi që të shtyhen ndeshjet, vjen konfirmimi zyrtar nga FIBA

Përfaqësuesja A e Kosovës do t’i luaj dy ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës “Kina 2019” sipas orarit të paraparë.

Kosova më 28 qershor do të përballet me Hungarinë, kurse më 1 korrik do të ballafaqohet me Poloninë.

Të dyja ndeshjet Përfaqësuesja jonë do t’i luaj me fillim nga ora 20:30 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, ku e ka humbur jetën basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Gazmend Sinani dhe janë lënduar tre basketbollistë të tjerë, Fisnik e Granit Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti, Kujtim Shala, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka bërë kërkesë në FIBA për moszhvillimin e këtyre dy ndeshjeve, por kjo e fundit sot me gjithë keqardhje e ka informuar FBK-në se ndeshjet duhet të zhvillohen.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar numri një i FBK-së, Arben Fetahu:

“Prej ditës së shtunë jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët më të lartë të FIBA-s duke e shikuar mundësinë për moszhvillimin e dy ndeshjeve, e që ishte kërkesa jonë e vetme, për shkak se ende jemi në gjendje shok pas gjithë asaj që na ka ndodhur dy ditë më parë. Mirëpo sot FIBA na ka informuar zyrtarisht se ndeshjet duhet të zhvillohen sipas programit të paraparë për shkak se nuk ka termine të tjera në dispozicion, sepse lëviz orari i kualifikimeve për Kupën e Botës ‘Kina 2019’. Po ashtu për shkak të të drejtave televizive, kontratave me sponsorë dhe obligimeve që janë ndërmarrë, FIBA nuk ka mundur t’i shtyjë ndeshjet”.

Duhet theksuar se në të dyja ndeshjet Federata e Basketbollit të Kosovës ka vendosur që dyert të jenë të hapura (pa pagesë) dhe inkurajon të gjithë adhuruesit e sportit që të jenë në numër sa më të madh në përkrahje morale të Përfaqësueses së Kosovës, e cila tani ka nevojë më shumë se kurrë për këtë lloj mbështetje.