15:30 / E Enjte, 05 Prill 2018 / indeksADMonline

Kosova larg zgjedhjeve të reja

Deportimi i “gulenistëve” në Turqi, arrestimi i Marko Gjuriqit në Veri të Kosovës, dhe tërheqja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, kanë bërë që të ketë lëkundje në Qeverinë Haradinaj. Për këto zhvillime ka reaguar edhe opozita kosovare e cila ka kërkuar zgjedhje të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës po vlerëson se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike. Kështu, ata kanë thënë se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme, duke ftuar partitë politike që sa më parë të caktojnë datën e zgjedhjeve.

Madje ata tashmë kanë ftuar të gjitha strukturat e veta, në të gjitha nivelet, që të mobilizohen dhe të intensifikojnë përgatitjet e nevojshme për zgjedhje.

“LDK-ja fton që partitë politike të mblidhen sa më parë për të caktuar datën e zgjedhjeve, në mënyrë që këto zgjedhje të jenë të përgatitura si duhet dhe vullneti i qytetarëve të shprehet lirshëm. LDK-ja është e gatshme që t’i nënshtrohet vullnetit të lirë të qytetarëve në zgjedhjet e pritshme. Kryesia e LDK-së fton të gjitha strukturat e veta, në të gjitha nivelet, që të mobilizohen dhe të intensifikojnë përgatitjet e nevojshme për zgjedhje”, thuhet në deklaratën e tyre.

Mirëpo, njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se është koha e duhur për zgjedhje të parakohshme.

Në një prononcim për Indeksonline, analisti Belul Beqaj nuk përjashtohen gjasat për zgjedhjet e parakohshme, por, sipas tij, Kosova së pari ka nevojë për reformë zgjedhore.

Ndërsa, sa i përket situatës së tanishme, sipas Beqajt, Kosova është në udhëkryqin më të rrezikshëm pas pavarësisë dhe se po rrezikohet funksionimi i shtetit të Kosovës.

“Kosova është në udhëkryqin më të rrezikshëm pas pavarësisë. Presidenti i Kosovës po rrezikon funksionimin e shtetit duke u ngritur mbi  ligjin. Atij nuk i mjaftoi aventura e tentimit të njëanshëm për transformimin e FSK-së, nuk i mjaftoi tentimi për shfuqizimin e Ligjit për GJSN, nuk i mjaftoi intervenimi i njëanshëm kundër drejtorit të Zyrës për Kosovën, nuk i mjaftoi as deportimi i kundërligjshëm i gjashtë shtetasve turq…Udhëkryqi mund të tejkalohet vetëm me largimin e tij nga skena politike. Kosova ka nevojë për periudhë kalimtare e cila do të mjaftonte për ti bërë përgatitjet e duhura ligjore dhe partiake për të filluar ndryshim i dëshiruar. Ngase, janë gjasat e vogla që zgjedhjet e radhës mund të ndryshojnë politik-bërjen, nëse nuk ndryshohet sistemi zgjedhor, lidershipi partiak e kushtetuta”, ka thënë ai.

Kurse analisti Imer Mushkolaj për Indeksonline ka thënë se nuk është në favor të partive politike që të organizohen zgjedhjet e parakohshme në këtë kohë.

Ai thotë se tani Qeveria duhet të gjejë strategji për të siguruar votat e nevojshme për të kaluar ligje të caktuara, tash kur është qeveri e pakicës.

“Zgjedhje mund të ketë po që se do të ketë mocion të suksesshëm mosbesimi për Qeverinë. Nuk besoj se do të ketë zgjedhje shpejt, ngase kjo nuk do të shkonte në favor të partive politike, sidomos jo tash kur duhet marrë me Asociacionin dhe çështje tjera të rëndësishme”, ka thënë Mushkolaj./Indeksonline/