12:13 / E Premte, 16 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kosova qëndron keq me rezerva ujore, këto zona shpallen me interes shtetëror

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka është takuar me këshillin ndër-ministror për ujëra.

Në këtë mbledhje u aprovuan disa projekte lidhur me industrinë e ujit dhe sigurisë nacionale me furnizim me ujë.

Po ashtu, u shpallën si zona me interes shtetëror të akumuluesve, Ujmani, Batllava, Badovci, Radoniqi dhe Përlepnica, transmeton Indeksonline.

“Gjatë takimit të nëntë të këshillit ndër-ministror për ujëra, aprovuam disa projekte madhore për industrinë e ujit dhe sigurinë nacionale me furnizim me ujë.
Ndër nismat kryesore të aprovuara është fillimi i procedurave për zhvillimin e disa akumuluesve ujor në vende të ndryshme të Kosovës si dhe shpallja si zona me interes shtetëror të akumuluesve siç janë Ujamni, Batllava, Badovci, Radoniqi dhe Përlepnica. Gjithashtu, u aprovua kërkesa e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që Ujësjellësi Bifurkacioni në Ferizaj të shëndrohet nga ndërmarrja publike lokale, në atë qëndrore, gjë që mundëson ujë më të sigurtë dhe shërbime më të mira për qytetarët e rajonit të Ferizajit”, ka thënë Lluka.

Ndërsa, është bërë e ditur se sipas një raporti të Bankës Botërore, Kosova qëndron keq me rezerva ujore për kokë banori.

“Sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar para 2 muaje, Kosova qëndron keq me rezerva ujore për kokë banori, që ka momentalisht rreth 290 m3, në krahasim me rajonin që kanë rreth 700 m3. Nga ana tjetër, për një shtet që konsiderohet që ka disponueshmëri të mjaftueshme të ujit, rezervat ujore për kokë banori duhet të jenë mbi 1700 m2. Pra jemi largë plotësimit të nevojave të sigurisë nacionale me furnizim me ujë, dhe si rezultat, konsolidimi i ujërave dhe investimi në rezerva të reja është jetik për vendin”, ka thënë mes të tjerash Lluka./Indeksonline/