20:25 / E Shtunë, 04 Qershor 2022 / C E

Kosova U21 shënon fitore të pastër në udhëtim te Andorra

Kosova U21 ka shënuar fitore ndaj Andorrës U21 në ndeshjen e raundit tetë në Grupin G në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2023.

Futbollistët e udhëhequr nga Albert Bunjaki shënuan fitore të pastër si mysafirë.

Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Nacional” përfundoi me rezultatin 0:3.

Valmir Veliu (11’ – nga penalltia), Leard Sadriu (52’) dhe Kreshnik Krasniqi (54’) shënuan golat e fitores për “Dardanët”.

Kosova U21 me 11 pikë momentalisht renditet e treta në grup, teksa Andorra U21 është e fundit me zero pikë.

Kosova U21 ciklin kualifikues e mbyll këtë muaj. Kombëtarja jonë më 10 qershor e pret Anglinë U21, teksa më 13 qershor do të luajë në udhëtim te Shqipëria U21.