22:22 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Analistët: “Kosovën e krijoi SHBA, asnjë lider nuk mund t’i dëmtojë raportet me të”

Liderët e vendit konsiderojnë se krijimi i Gjykatës Speciale është vendim  i padrejtë ndaj Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar dy herë radhazi që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar, që njihet si Gjykata Speciale.

Njohës të çështjeve politike në vend, thonë se deklaratat e presidentit të vendit rreth shfuqizimit të Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi nuk munden asesi të dëmtojnë raportet mes Kosovës dhe SHBA-së.

Sipas tyre, është tejet joserioze që të gjitha qeveritë tona të deritanishme, ende manipulojnë rrezikshëm me tema të “brendshme”.

“Është tejet joserioze që gjitha qeveritë tona të deritanishme, ende manipulojnë rrezikshëm me tema të “brendshme”, ndërkaq, po të shihni ngjarjet dhe zhvillimet aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ju kuptoni se janë duke ndodhur lëvizje e kërcënime evidente planimetrike, dhe tejet të rrezikshme, lidhur me ristrukturimin e kësaj pjese të botë ku ne vegjetojmë, edhe si gjeografi, por, edhe si demografi”, ka thënë sociologu dhe profesori universitar Fadil Maloku.

Sipas Malokut edhe nga qeveria aktuale, madje as nga Presidenti u vendit nuk po shihet asnjë ide kornizë, asnjë vullnet racional, për tu dalë ballë, e as t”u jap ndonjë përgjigje koherente gjitha këtyre “lëvizjeve” e kërcënimeve e sfidave në horizont.

“Presidenti, duhet ta dijë, se kjo po ndodhë edhe për shkakun, se të gjitha qeveritë, edhe kjo aktualja nuk e kanë mendjen te shtetndërtimi që ende është “thembër Akili”, por të do interesa meskine, e banale klanore, e kastike. Kjo po ndodhë, gjithashtu edhe për shkakun se këto qeveri po presin përgjigje blanko dhe plane me “duar në xhepa” nga sponsoruesit e jashtëm. Duke mos ndërmarr asgjë në ketë drejtim, kujtoj që gjithë kjo”fiskulturë”, është jo vetëm joserioze, por, edhe dëmshme e joproduktive për Kosovën.

Nga ana tjetër, analisti Nexhmedin Spahiu thotë se asnjë qëndrim i asnjë politikani nuk mund të ndikojë në raportet me SHBA-në, dhe se të gjitha mospajtimet mbesin vetëm përsonale.

“Asnjë deklaratë e asnjë politikani të Kosovës sado që ka pozicion të rëndësishëm në shtetin e Kosovës nuk mund të ndikojë në rsportet mes Kosovës dhe SHBA-së, mund të ndikojë vetmë në raportet e tij personalisht dhe SHBA-së. Sigurisht që këto deklarata presidenti jep deklarata janë ndesh me qendrimet e SHBA-së që do të ndikojnë në raportet e tij personale. Kanë me ndiku, por kanë me ndiku vetëm në raportet mes presidentit dhe SHBA-së  por jo mes Kosovës dhe SHBA-së, sepse Kosova është krijuar nga SHBA, Kosova nuk është në pozitën që me i prish punët me SHBA-në. Nuk është aq e pavarur sa një president ose një kryeministër, ose qoftë edhe një përbërje e parlamentit me i prish raportet me SHBA-në. Në fund të fundit, Kosovën e kontrollon KFOR-I e konstrollon NATO, nuk e konstrollon as Hashim Thaçi as Ramush Haradinaj”

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015 pati miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Miratimi ishte bërë me shumicë votash, por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit./ Indeksonline/