12:57 / E Shtunë, 23 Maj 2020

Krasniqi i reagon Aliut: Na gënjyet për rezultatin e sondazhit, apo LVV-ja e ka ndërmend ta propozojë Veselin për kryeministër

Gazetari, Besnik Krasniqi i ka reaguar deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Liburn Aliu, pasi ky i fundit e ka apostrofuar atë rreth raportimit të dekretit të presidentit, Thaçi, nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Krasniqit, sulmi i Aliut e konteston punën profesionale. “… na vë në rolin e propaganduesit të Kadri Veselit, kur thotë se po shkruajmë për atë që kreu i PDK-së do”, ka shkruar Krasniqi.

“Kontradita e madhe me veten ndodhet tek pjesa ku thotë se Veseli “e din që në zgjedhjet e ardhshme fiton LVV por po ashtu beson që PDK del e dyta dhe me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, bëhet presedani që i hap rrugën atij për t’u bërë Kryeministër”. Tash unë nuk po e kuptoj qysh Veseli po u bëka kryeministër, pas zgjedhjeve për të cilat po na thoni se, sipas sondazheve, LVV-ja do t’i fitojë mbi 50 për qind të votave. Na keni gënjyer për rezultatin e sondazhit, apo LVV-ja ka ndërmend ta propozojë Veselin për kryeministër?”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton Indeksonline

Statusi i plotë:

Sulmi i fundit na vjen nga Liburn Aliu, një nga njerëzit kryesorë të Vetëvendosjes në pushtet. Po sulmon, tek po shërbehet me paranoja e insinuata!

Statusi i Liburnit shpërfaq akuza ndaj Kohës Ditore dhe një kontraditë me veten.

E konteston punën profesionale tonën, kur fjalën hulumim e vë në thojëza. E, na vë në rolin e propaganduesit të Kadri Veselit, kur thotë se po shkruajmë për atë që kreu i PDK-së do.

Kontradita e madhe me veten ndodhet tek pjesa ku thotë se Veseli “e din që në zgjedhjet e ardhshme fiton LVV por po ashtu beson që PDK del e dyta dhe me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, bëhet presedani që i hap rrugën atij për t’u bërë Kryeministër”. Tash unë nuk po e kuptoj qysh Veseli po u bëka kryeministër, pas zgjedhjeve për të cilat po na thoni se, sipas sondazheve, LVV-ja do t’i fitojë mbi 50 për qind të votave. Na keni gënjyer për rezultatin e sondazhit, apo LVV-ja ka ndërmend ta propozojë Veselin për kryeministër?

Nejse.

PDK-ja na etiketon si militantë të LVV-së. LVV-ja si argatë të PDK-së. Pra, gjithëherë vihemi në thumb të pushtetit.

Nuk ka tregues më të mirë se ky, se si gazetë jemi në rrugën e duhur.