14:33 / E Diele, 01 Prill 2018 / indeksADMonline

Kreu i Partisë Demokratike, akuza ndaj Edi Ramës – ia përmend 200 milionë eurot e kosovarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dënuar arrestimin e disa personave mbrëmë nga policia shqiptare.

Basha ka thënë se këtë veprim e ka udhëruar Edi Rama për të frikësuar popullsinë e Kukësit dhe të Kosovës.

“Dënoj ashpërsisht arrestimet në mes të natës të qytetarëve dhe dërgimin e tyre në Tiranë, të gjitha të kryera në shkelje të të drejtave të tyre themelore. Veprimet e prokurorisë dhe të policisë janë të urdhëruara politikisht nga Edi Rama. Arrestimet nuk janë bërë për drejtësi, por për t’u hakmarrë, për të frikësuar dhe shantazhuar popullsinë e Kukësit dhe të Kosovës. Dënoj ashpër poshtërimin publik, fyerjet dhe përçmimin që Edi Rama po u bën qytetarëve të Kukësit dhe të Kosovës të cilët protestojnë kundër grabitjes së dyfishtë që u bëhet dhe për të drejtat e tyre”, thuhet në reagimin e tij, transmeton Indeksonline.

Basha tutje ka shkruar se tarifat e Rrugës së Kombit kanë për qëllim grabitjen e qytetarëve, për të pasuruar Edi Ramën. Sipas tij, Rama çdo vi ti vjedhë 200 milionë euro taksë qarkullimi për mirëmbajtjen.

Ai ka kërkuar llogari nga Rama se pse nuk i përdor këto fonde për ta mirëmbajtur rrugën.

“Policia dhe prokuroria janë të dorëzuara para trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar por po keqpërdoren kundër qytetarëve që protestojnë kundër një tarife korruptive që i grabit, varfëron dhe i izolon për të pasuruar Edi Ramën dhe bandën e tij. Tarifa e Rrugës së Kombit ka vetëm një qëllim: të grabisë qytetarët për të pasuruar Edi Ramën, i cili shpërdoron dhe vjedh 200 milionë euro taksë qarkullimi cdo vit për mirëmbajtjen. Edi Rama duhet të japë llogari se pse i shpërdoron dhe nuk i përdor këto fonde për mirëmbajtjen e rrugëve. Vjedhja dhe shpërdorimi i fondit 200 milionë euro është arsyeja pse Rama vendosi tarifën nga 5 në 32 Euro në Rrugën e Kombit. Do të mjaftonte një e dhjeta e këtij fondi për këtë mirëmbajtje. Rama zhvat qytetarët me tarifën e Rrugës së Kombit për të mbuluar vjedhjen e fondit 200 milionë euro në vit”, ka shkruar ai, transmeton Indeksonline.

Sipas Bashës, tarifa duhet të hiqet dhe protestuesit e arrestuar duhet të lirohen.

“Tarifa e Rrugës së Kombit duhet të hiqet.  Protestuesit e arrestuar në mes të natës duhet të lirohen. Dhunuesit e tyre duhet të ndëshkohen Partia Demokratike mbështet qytetarët dhe të drejtat e tyre dhe do jetë me ta në çdo moment”, ka përfunduar Basha reagimin e tij./Indeksonline/