16:04 / E Diele, 28 Gusht 2022 / Gj. Sh

Kryeministër, reflekto, gjeje gjuhën e mirëkuptimit !

Shkruan, shkrimtari Maxhun Osmanaj

Letër Kryeministrit !

Kryeministër, reflekto, gjeje gjuhën e mirëkuptimit !

I nderuar kryeminstër! Kurrë s’kam dashur as s’kam shkruar opinione a shkrime me karakter politik, sepse jam i fushës së pedagogjisë dhe kulturës.Tani marr guxim intelektual të shpreh një mendim timin. Edhe tri ditë fillon viti mësimor.Nxënësit më presin mua dhe mijëra mësindhënës t’ua hapin derën shkollës.Nxënësit kërkojnë të dëgjojnë fjalën e ëmbël të mësuesit. Ata s’dinë dhe s’duan të dinë aspekte politike.Çfarë do t’u thuash kur ata i gjejnë dyert e shkollës të mbyllura?!

Kryesindikalisti i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka shpallur grevë të përgjithshme në nivel vendi.Kjo grevë, si të gjitha grevat në botë janë legjitime.Siç e dini ju, ka pasur paralajmërime të tilla disa herë.Fatkeqësisht ka munguar dialogu, gjuha e mirëkuptimit.Ka një vit që Ligji i pagave sillet nëpër duar , shtyhet afati i miratimit në kuvend! Sindikata pret,pret…Kryesindikalisti Jashari ofroi ofertë.Ju e injoroni.Vallë, ç’kërkojnë mijëra mësimdhënës?! Nuk kërkojnë 1000 ,900,800 euro.Kërkojnë miratim, një ngritje të arsyeshme, të përballueshme për shtetin tonë, për shoqërinë tonë.Më mirë se askush nuk e di gjendjen se ne që punojmë në arsim.Nuk jemi të kënaqur me suksese,por ta dinë të gjithë: Arsimi është sistem hallkash zingjirore; nga prindi,nxënësi, mësimdhënësi,infrastruktura,rrethi dhe shoqëria.Arsimi është sistem i ndryshimeve.Nuk mund ta lëmë askë fajtor.Fajtorë jemi ne të gjithë,prandaj t’i përvjelim të gjithë mëngët dhe të ndryshojmë gjendjen në arsim.Gjendja nuk ndryshon me një vit,as dy e tri.Gjendja ndryshon kur të gjithë derdhim përkushtim dhe djersë të vazhdueshme.

A kanë të drejtë edhe mësimdhënësit të jenë pjesë e dinjitetshme e shoqërisë, kur nga ata fillon ndërtimi i shoqërisë,edukimi?! Kryeministër, nesër unë bashkë me qindra mësimdhënës dalim në pension me 100 EURO. Çfarë mund t’i thoni kësaj shume ?!S’kam nevojë të përsëris shumë ,por mësimdhënësit, kanë qenë,janë dhe do të jenë pjesë e ndërtimit të këtij shteti të ndërtuar me gjak, djersë e mund me vite dhe dekada, ndonëse ky ligj nuk është vetëm për mësimdhënësit.Vallë, a s’paska kjo shoqëri njerëz të mençur, të ditur, ku të ulën, të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit dhe të pajtohen për mbarëvajtje të procesit mësimor?!

Unë dhe kolegët e mi, nuk i gëzohemi grevës, përkundrazi , fatkeqësisht jemi të detyruar. Edhe ne kërkojmë dinjitet, na shkoi jeta me pagë lëmoshë.Pse të injorohemi dhe të akuzojmë njëri –tjetrin. S’është frymë e shëndoshë kjo kohë e akuzave, por e gjetjes së formulës për mbarëvajtje për një proces të mbarë që synon suksese në çdo fushë arsimi.

Ne mësimdhënësit jemi të gatshëm si çdo herë të fillojmë mësimin, me kusht që edhe ju të reflektoni menjëherë.Ne jemi në shërbim të nxënësve,por ky shërbim duhet të na paguhet fillimisht me dinjitet e respekt nga masa, e pastaj edhe me një pagë të dinjitetshme.

Tani kjo qeveri kërcënoi dhe u mundua t’i frikësojë mësimdhënësit. Vallë, a është gjuhë e përshtatshme dhe njerëzore?! Nuk është e shëndoshë kjo klimë, kjo paraqet ndasi dhe përçarje,fyerje dhe lëndim te çdo mësimdhënës.Ne kemi nevojë për mirëkuptim dhe reflektim.Asnjë Qeveri e mëparshme që nga paslufta , bile edhe kur mbajtëm grevë trijavore, nuk kërcënoi!

Prandaj , dil para popullit, shoqërisë bashkë me ministrën e Arsimit, Nagafci, me atë të Financave, me kryesindikalistin Jashari; gjeje gjuhën e marrëveshjes, reflekto! Reflekto, sepse bankat shkollore i presin nxënësit, kurse ne mësimdhënësit ju presim ju që të REFLEKTONI.

Me respekt,Maxhun Osmanaj, mësimdhënës veteran, kryesindiklasit i SHFMU “Avni Rrustemi “ Zallq, krijues letrar!Istog, më 28 gusht 2022

p.s. Kërkoj nga komentuesit të shprehin mendimin e tyre pa fyerje,pa sharje. Respekt!