21:46 / E Hënë, 29 Tetor 2018

Kryeprokurori Lumezi tregon se çka po ndodhë me aktakuzën e rastit të  “veteranëve të rrejshëm”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke punuar intensivisht në plotësimin e aktakuzave për lëndën e njohur si rasti i “veteranëve të rrejshëm”, e cila i është kthyer Speciales për plotësim dhe qartësim të saj.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ai në një prononcim për “Indeksonline” ka  treguar se ende nuk e kanë dërguar aktakuzën e rastit të veteranëve në gjykatë.

Sipas Lumezit, e njëjta është duke u përpunuar intensivisht dhe brenda afateve kohore do t’i përcjellët gjykatës.

“Ende nuk e kemi dërguar aktakuzën në rastin e veteranëve në gjykatë. Për këtë jemi duke punuar intensivisht dhe brenda afateve kohore që na ka dhënë gjykata prej 30 ditësh ne do ta  bëjm përmisimin e aktakuzës dhe të njëjtën do t’ia përcjellim gjykatës për të proceduar më tutje lidhur me këtë rast”, ka deklaruar Lumezi për “Indeksonline”.

Ndryshe, arsyeja e kthimit të aktakuzës sipas kryetares së Trupit Gjykues bie për shkak se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi.

Gjykata më herët kishte njoftuar se kjo është bërë për shkak se aktakuza nuk është përpiluar konfrom nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 të KPP-së. Po ashtu janë dhënë dhe arsyeje lidhur me anulimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike.

Rikujtojmë, se me rastin e veteranëve është vendosur se do të gjykojë gjyqtarja, Nushe Kukaj-Mekaj. Kjo e fundit e cila është gruaja e djalit të axhës së Sali Mekajt, ish kryetar i Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Qarkut në Pejë./Indeksonline/