19:50 / E Martë, 16 Korrik 2019 / indeksADMonline

Kryetari i Junikut njofton Haradinajn se po vazhdojnë punimet e paligjshme për marrjen e “Erenikut të Vogël”

Përmes një ftese publike, kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi i është drejtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj.

Kuçi ka njoftuar Haradinajn se po vazhdojnë punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit “Ereniku i Vogël” nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përcjellë Indeksonline.

“Kjo ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale – historike të këtij lumi !

“Punimet po vazhdojnë përkundër faktit se komuna e Junikut dhe qytetarët e saj kanë dorëzuar kërkesën dhe peticionin për shfuqizimin e vendimeve lidhur me këtë çështje në zyrën tuaj me datë 26.04.2019.

I nderuar Kryeministër, veprimet që po bëhen janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr.04/L-086 për Parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligjin Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin Nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës dhe me Normat, Konventat Ndërkombëtare të Ujërave.
Andaj, mbi këtë bazë, bashkë me shqetësimin legjitim të qytetarëve të komunës sonë, Ju bëjmë Ftesë Publike që si Kryeministër i vendit dhe Kryetar i Këshillit Ndërministror të Ujërave të Kosovës, të veproni ligjërisht dhe t’i shfuqizoni këto vendime

Veprimi i juaj bën që Ju, të mos viheni në anën e qytetarëve të Junikut, Rekës, Lugut dhe as të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjinit por në anën e së drejtës, ligjshmërisë dhe interesit të përgjithshëm”, shkruan Kuçi në letrën adresuar Haradinajt./Indeksonline/