21:53 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kthim në kohë: Kur Kosova po zbrazej [Video]

Rilindja raportonte për valën e të zhvendosurve nga Kosova.

Kjo është vetëm njëra nga dëshmitë e terrorit të forcave serbe mbi popullatën civile.

Gjersa në çdo cep po masakroheshin fëmijë, gra, burra e pleq, kosovarët edhe u dëbuan e u maltretuan kufinjëve.

Atë kohë rreth 800.000 mijë persona, gjetën strehë kampeve jashtë Kosovës që po bombardohej, raporton T7.

Disa nga ta ikën, për të mos u kthyer më kurrë në vendin ku në vitet 1998-99 u rrezikohej jeta.

E jeta e shumicës, filloi nga e para.

Pamjet e vuajtjeve nëpër male e kufinjë atëherë qenë dëshmitar i asaj që po ndodhte.

E ato bënin bujë edhe nëpër të gjithë mediat botëore.

Për to shkruante dikur edhe Rilindja, duke dokumentuar përgjithmonë atë që po ndodhte.

Me titullin” Valë e madhe e të zhvendosurve nga lufta”, rrëfehej për shtëpitë e najllonta që ishin bërë strehë e mijëra personave maleve të Kosovës.

“Tash po vazhdon vala e madhe e të zhvendosurve nga zonat e luftës. Në anën tjetër, nga frika për ndonjë masakër serbe, siç kanë ndërmarrë në shumë anë të tjera të Kosovës, kryesisht gra dhe fëmijë po i lëshojnë vatrat e veta duke mësyrë kështu kufirin me Maqedoninë.”

Njerëzit e traumatizuar nga ajo që po përjetonin, po arrinin  të merrnin vetëm rrobat e trupit me vete dhe asgjë tjetër nga pasuria e ushqimi tjetër që kishin në shtëpitë e tyre.

Duke kaluar netët nën qiellin e hapur, përballeshin edhe me sëmundje të ndryshme.

Në marsin e 99-tës, dëbimet po shoqëroheshin me vrasje përvec në rajonet qendrore sidomos në ato kufitare.

Me titullin, “Spastrime etnike në zonat e kufirit Kosovë-Maqedoni” atëherë shkruhej për disa shqiptarë të ekzekutuar nga policia serbe.

Burime të gazetës njoftonin se ato ditë përgjatë brezit kufitar të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shpërthime të fuqishme e breshëri armësh.

Janë përgjysmuar vendbanimet shqiptare,  Pothuajse cdo ditë gjendet nga një I vrarë, Arrestime e keqtrajtime, ishin vetëm disa nga titujt e Rilindjes së vitit 1999.

E vala më e madhe e të të zhvendosurve ishte nga Vushtrria.

Në një konferencë për media zëdhënësi i OKB-së për refugjatë Kris Janovski kishte deklaruar se vetëm gjatë dy ditëve kishin ikur 9000 persona.

Situata për të zhvendosurit kishte ndryshuar me nënshkrimin e marrëveshjes në mes të KFOR-it dhe UCK-ës.

Rilindja kishte bërë thirrje për rikthim në Kosovë, përmes titullit, ‘Popull, kthehu dhe jeto i lirë’.

E në gushtin e atij viti, në Kosovë u rikthyen nga mërgimi refugjatët e parë.

Në tekstin “ Aeroporti i Prishtinës pret refugjatët e parë”, tregohej për udhëtimin e organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Emërgjencës.