Kur do të kthehet në shtëpi Isa Mustafa? Flet këshilltari i tij!
Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa njëherësh lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdon të qëndroj në Gjermani në një qendër rehabilituese për shkak të shëndetit jo të mirë që ka. Ditë më parë mjekët kishin dhënë lajme të mira nga analizat e fundit që i ka bërë Isa Mustafa.
Për këtë arsye, edhe djali i kryetarit të LDK-së, Besnik Mustafa ishte kthyer në Kosovë pas përmisimit të shëndetit që i është bërë babait të tij.
Këshilltari i ish-kryeministrit të Republikës, Besnik Berisha ka treguar për “Indeksonline” se çka kanë ndërmarr mjekët deri më tani për shëndetin e Mustafes.
Ai thotë se Mustafes në vazhdim do t’i kërkohet vetëm terapia e fizioterapisë. Ndërsa pas saj, sipas Berishës do të kompletohet i gjithë trajtimi mjekësorë.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me z. Mustafa dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile me përmirësime të kënaqshme. Janë kryer ekzaminime te hollësishme të cilat konfirmojnë se telashet kanë përfunduar dhe tani kërkohet vetëm vazhdimi i fizioterapisë. Fizioterapia do të vazhdojë edhe për një kohë, në mënyrë që të kompletohet trajtimi”, është shprehur Berisha për “Indeksonline”.
Kësisoj, Berisha para disa ditëve ishte kontaktuar nga Indeksonline ku deklaroi se sot do të merrte përgjigjen se kur Isa Mustafa kthehet në shtëpi. Mirëpo, as sot kjo nuk është bërë e ditur nga këshilltari i liderit të LDK-së.
Ndryshe, për gjendjen e kryetarit të LDK-së përmes një komunikate kishte njoftuar edhe Dega e V-të e kësaj partie në Prishtinë ku ka thënë se gjendja e tij është stabilizuar dhe së shpejti pritet që t’iu kthehet aktiviteteve politike në vend./Indeksonline/