16:53 / E Martë, 18 Qershor 2019 / indeksADMonline

Kurti falënderon Turqinë për mbështetjen e dhënë Kosovës deri më tani

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti po qëndron në Turqi me disa anëtarë të tjerë të VV-së, ku kanë zhvilluar disa takime me përfaqësues turk.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se në takime i ka falendëruar të gjithë për mbështetjen që shteti turk i ka dhënë Kosovë, si para gjatë e pas luftës, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Kurtit:

Sot, gjatë ditës, së bashku me deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetarin e Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe asambleistin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri, takova shefat e grupeve parlamentare të partive kryesore politike në Turqi.

Në takime të ndara takuam shefin e grupit parlamentar të Partisë Republikane të Popullit, Engin Özkoç dhe deputetët Utku Çakirözer dhe Haluk Koç (CHP), shefin e grupit parlamentar të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Erkan Akçay dhe deputetin Muhammed Levent Bülbül (MHP), shefin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Av. Bülent Turan.

Në të gjitha këto takime i falendërova për mbështetjen dhe ndihmën e shtetit turk para, gjatë dhe pas luftës, duke theksuar se Turqia menjëherë njohu Republikën e Kosovës, porsa e shpalli pavarësinë. Biseduam për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës e Turqisë, për mundësitë dhe nevojën e bashkëpunimit ekonomik, përmes investimeve që gjenerojnë punësim në Kosovë, sidomos për rininë dhe gratë.

Synimi ynë është që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian dhe NATO. Duke qenë se pengesa kryesore për anëtarësimin është mosnjohja nga 5 shtetet e BE-së, përkatësisht 4 shtetet e NATO-s, kërkova që të na ndihmojnë me kontaktet që kanë me partitë simotra në këto vende duke kërkuar nga to që ta njohin shtetin e Kosovës.

Me shefin e grupit parlamentar të Partisë Republikane të Popullit, Engin Özkoç u pajtuam që të thellojmë bashkëpunimin dhe të vazhdojmë koordinimin tonë të përbashkët në Internacionalen Socialiste. /Indeksonline/